Festivali i “Instrumentistëve të Vegjël Popullor” në Fushë-Arrëz, gjallëroi qytetin e Pukës

Për të 14-in vit radhazi qyteti i Fushë-Arrëzit, Pukë priti instrumentistë të vegjël nga të gjitha trevat shqiptare. I njohur për natyrën e bukur dhe dashurinë e të vegjëlve për çiftelinë e vallet, Fushë-Arrëzi sjell në kujtesë rëndësinë e muzikës popullore te brezat e rinj. Në qytetin e vogël verior, të rrethuar nga malet për 3 ditë radhazi jehuan tingujt e vallet e përcjellësve më të denjë të trashëgimisë kombëtare. Fëmijë nga të gjitha trevat shqipfolëse morën pjesë në festivalin “Instrumentistët e Vegjël Popullor”, tashmë traditë që prej vitit 2004.

Gara me pjesëmarrës nga 28 qytete Shqipërisë dhe trevave shqiptare u mbajt në datat  19, 20 dhe 21 maj.

Juria e drejtuar nga Zhani Ciko vlerësoi me çmimin e parë grupin e Drenasit, çmimi i dytë shkoi në qytetin e Sarandës dhe çmimi i tretë për Lipjanin. Gjithashtu u akorduan dhe një sërë çmimesh të tjera dhe certifikata mirënjohje. Çmimi i traditës shkoi për Fushë-Arrëzin, që do të vijojë sërish të jetë “foleja” që do mbledhë “zogjtë” që janë ruajtësit më të mirë e të denjë të traditës që s’duhet humbur.

Pin It