Filmi ‘Memory’ i regjisorit kosovar me 20 prill premierë botërore në SHBA

Një tjetër emër që lartëson filmin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Këtë herë është regjisori nga Kosova Ilirjan Himaj që përfaqëson kinematografinë tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u përzgjedhur pas një gare me mijëra filma nga e gjithë bota. Do të jetë filmi me metrazh të shkurtër “Memory” i cili pritet të shfaqet premierë botërore në edicionin e 65­të të ‘Columbus Film & Video Festival’, në Ohio më datën 20 prill.

Fabula e filmit: Gjyshi del të blejë dhuratë për nipin, s’gjen rrugën për në shtëpi. Në qendër të këtij filmi është historia e një gjyshi që kushtëzohet prej dy “rrethanave”, dashurisë për nipin si dhe sëmundjes së Alzheimerit që e degdis rrugëve pa adresë. “Ne jemi shumë të kënaqur me këtë fakt meqë ka qenë në garë me mijëra filma të tjerë nga e gjithë bota.

Filmi flet për një plak me Alzheimer i cili pasi del nga shtëpia për të blerë një dhuratë për nipin, nuk arrin të gjejë rrugën e kthimit për në shtëpi”, thotë Himaj. “Columbus Film & Video Festival’ është edhe festivali më i vjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë regjisori Himaj. “‘Memory’, brenda javës do të shfaqet edhe në dy festivale të tjera, në edicionin e 50­të të “Humboldt Film Festival” në Kaliforni dhe në edicionin e 17­të të “Festival Internacional deCine de Lanzarote” në Spanjë”.

Filmi me skenar dhe regji të Ilirjan Himaj ka producentë Agron Shalën dhe Latif, ndërsa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë Xhevat Qorraj, Bibi Qena, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Besim Ajeti, Agron Krasniqi, Labinot Lajçi dhe Agron Shala.

Pin It