Forumi Ekonomik Botëror: Rritja ekonomike në Shqipëri është e kufizuar tek pakica

wef

Forumi Ekonomik Botëror konfirmoi se rritja ekonomike e Shqipërisë nuk është e shpërndarë mirë dhe as gjithëpërfshirëse. Ky forum krahasoi rritjen ekonomike të vendit tonë me atë të vendeve të tjera, duke e klasifikuar Shqipërinë në zonën protokalli, ku PBB e vendit është rritur me ritme më të larta se sa rritja gjithëpërfshirëse.

Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën.

Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB dhe rritjes gjithëpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri. Trendi tregon për një rënie 5.6% të këtij raporti, çka tregon se shpërndarja e rritjes ekonomike ka patur zhvillime negative, ku përfitimet po përqendrohen gjithnjë e më shumë tek pakica.

Në tendencë të kundërt, në vende e tjera të rajonit, si Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani, rritja ka qenë më gjithëpërfshirëse, sipas raportit. Hapja e ekonomisë globale ka sjellë vështirësi në reduktimin e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave në mënyrë të harmonizuar në të gjithë botën.

Por Forumi Global pohon se shumë vende kane përfituar nga hapja, sidomos vendet në zhvillim. Firmat që tani janë ndërkombëtarizuar kanë rritur produktivitetin dhe efikasitetin e tyre në ekonomitë me të dobëta. Në vendet në zhvillim, jo vetëm është rritur produktiviteti, por edhe është përmirësuar prodhimi në segmente me vlerë më të lartë.

Edhe një organizatë tjetër ndërkombëtare njoftoi dje se pasuria globale po përqendrohet gjithnjë e më shumë në pak duar. Kërkimet e reja nga Oxfam thonë se vetëm tetë njerëz kanë të njëjtën pasuri sa gjysma e popullsisë së botës. Pasuria globale botërore ka arritur në 255 trilionë dollarë, sipas raportit. Që nga 2015, më shumë se gjysma e kësaj pasurie është e përqendruar në duart e më të pasurve, 1% të totalit të popullsisë.

Pin It