Administrata do të punësojë 2225 punonjës dhe praktikantë në 2017

admn

Gjatë vitit 2017 numri i punonjësve dhe praktikantëve që do të punojnë me kontratë të përkohshme në institucionet publike do të ketë 2.225 punonjës. Vendimi i qeverisë, i cili është botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, përcakton se 2.025 punonjës do të jenë me kontratë të përkohshme, ndërsa 200 do të jenë praktikantë.

Personat që duan të bëhen pjesë e administratës publike në një nga pozicionet e lira në institucionet e administratës shtetërore, pra në Kryeministri, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë, duhet të aplikojnë online nëpërmjet faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike.

Numri më i lartë i punonjësve me kontratë do të jetë në Drejtorinë e Tatimeve dhe Agjencinë e Legalizimeve. Ndërkohë, 200 vende pune janë për praktikantë, të cilët do të punësohen pranë institucioneve shtetërore. Punësime të reja do të ketë edhe në spitale.

Vendimi përcakton edhe mënyrën e pagesës së personave që do të punësohen, e cila ndryshon sipas fushës së punësimit.

Sipas vendimit pagesa për mjekët e kontraktuar të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, pagesa për punonjësit e kontraktuar për Qendrën e Transferimit të Teknologjisë, Agjencinë Kombëtare të Duhan­ Cigareve dhe Entin Shtetëror të Farave dhe Fidanëve, në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, do të përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe do të paguhet sipas preventivit përkatës.

Punonjësit, të cilët merren me anketime të ndryshme të Institutit të Statistikave dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, punonjësit që përfshihen në procesin zgjedhor, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, instruktorët e qendrave të Formimit Profesional si dhe mësuesit në dispozicion, në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional, nuk përfshihen në këtë vendim.

Për mundësi punësimi mund të klikoni në linkun: http:// www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezimemanuale.

Pin It