Kujtohet vdekja e Skënderbeut, Heroi Kombëtar, strategu e prijësi ishqiptarve

auto_skenderbeu_1440775903-16602081440861841

Më 17 janar 1468 në Lezhë, vdiq Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve. Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja pa pushim brenda vendit. Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin. Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat. Legjenda thotë se, kur sulltan Mehmet II dëgjoi se Skënderbeu vdiq, bërtiti: “Më në fund Evropa dhe Azia janë të mijat. Mjerë Krishtërimi që humbi shpatën dhe mburojën”. Historiani Edward Gibons (1737 – 1794) e ka krahasuar Skënderbeun me “Aleksandrin e madh dhe Pirron, bashkëatdhetar i të cilëve Kastrioti ishte”.  Pas vdekjes së Heroit, shumë prijsa e princa të Arbërisë u shpërngulën në Itali. Një numër i madh banorësh (dhjetra mijëra) emigruan gjithashtu, duke formuar koloni të mëdha arbëreshe në Italinë e jugut dhe Sicili. Fortesat kryesore si Kruja dhe Shkodra vazhduan rezistencën edhe për disa vite, dhe pastaj ranë. Historianët thonë se të pakët janë udhëheqës të luftrave për çlirim, si Skënderbeu, të cilët kanë gëzuar njohje kaq të gjerë të veprave të tyre në rrjedhën e pesë shekujve.  Një bibliografi botuar më 1881, përmbante 185 vepra historike, filozofike dhe romane mbi Skënderbeun. Ndërsa bibliografia e botuar në Tiranë (1968) me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, përman mbi një mijë tituj në 21 gjuhë, ndër të cilat edhe në Esperanto.

Kush ishte Gjergj Kastrioti?

Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Diber. U mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e quan Gjergjin në shkollën e sulltanit që përgatiste komandantë e nëpunës.

Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.

Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.

Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.

Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.

Pin It