Tirana me qendër strehimi të përhershme

veliaj

Tirana do të ketë një qendër strehimi të përhershme për personat e pastrehë në rrugët e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës vendosi të kthejë një nga qendrat sociale, të përdorura gjatë situatës emergjente të motit të ftohtë, në një qendër të përhershme.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se situata e emergjencës që kaloi Tirana vërtetoi nevojën për zgjidhje afatgjatë të problemit për të gjithë ata që nuk kanë një strehë.

“Nga 7 qendrat që funksionuan për menaxhimin e situatës, një prej tyre do të kthehet në një qendër permanente për dikë që është në situatë rruge dhe do të kalojë natën, të plotësojë nevojat e veta higjieno-sanitare dhe të ketë një strehë në kokë, sidomos në netë si ato që kaluam”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu deklaroi se do të krijohet një fond i veçantë ushqimesh e veshmbathjesh për personat në nevojë.

“Kemi marrë një vendim, nisur edhe nga solidariteti që pamë në qytetin e Tiranës, në çadra, batanije, ushqime, dyshekë, ushqime, për të krijuar një rezervë të qytetit, ashtu siç janë rezervat e shtetit. Bashkia e Tiranës ka identifikuar një magazinë ku do të bëjë një imitim në miniaturë të rezervave të shtetit, për rezervat e qytetit”, tha ai.

Këto deklarata u bënë gjatë takimit përmbyllës të projektit “Ngritja e kapaciteteve të Shërbimit Social Shtetëror”, i organizuar nga “Balkan Youth Link Albania” dhe Instituti “Benussi”, me mbështetjen e UNICEF dhe Zyrës Zvicerane për Zhvillim.

 

Pin It