Foto të rralla të grave shkodrane të viteve 40-të, vijnë përmes aparatit të fotografit italian Giuseppe Massani

Falë fotografit italian Giuseppe Massani, të sjellur përmes albanologut tashmë të famshëm Robert Elsie, ne mund ta shohim si kanë qenë qytetet shqiptare dekada më parë, madje mund të shohim se si dukeshin gratë shqiptare gjatë viteve ’40, kur Italia kishte pushtuar vendin tonë.

Xhuzepe Masani ishte fotograf italian. Edhe pse nuk ka të dhëna të sigurta për të, duket se ka lindur në Rimini në vitin 1901 dhe ka studiuar ne Universitetin e Bolonjës duke filluar në vitin 1920. Masani u bë ithtar i flakët i lëvizjes fashiste dhe doli në pah me një album fotografik për Musolinin dhe fashizmin: La sua terra (Toka e tij), Bergamo 1936.

 Gruaja në qytetin e Shkodrës, viti 1940

Në prill 1939, Shqipëria u pushtua nga forcat italiane dhe pak kohë më pas iu aneksua perandorisë së re romake të Musolinit. Ishte momenti i duhur për fotografin që t’i prezantonte publikut italian trevat e reja të Italisë përtej Adriatikut.

Gratë shqiptarë duke shkuar në treg, Shkodër, 1940

Sigurisht me mbështetjen zyrtare, Masani udhëtoi gjerësisht në Shqipërinë e pushtuar nga Italia dhe bëri fotografi të ndryshme.
Fotot u botuan në vëllimin “Albania: Testo e foto di Giuseppe Massani” [Shqipëria: teksti dhe fotot nga Xhuzepe Masani], Romë 1940, me një kapitull të fundit të propagandës fashiste ‘Bashkimi Italo-shqiptar.’ Të gjitha pamjet e këtij koleksioni janë marrë nga ky libër.

Në vitet 1960 dhe 1970 Masani botoi disa albume të tjera, shumica e të cilave tashmë janë lënë në harresë. Albumi i Shqipërisë i vitit 1940, i harruar edhe ai, mbetet i mahnitshëm si pasqyrë e Shqipërisë së vjetër para komunizmit. /ATA/

Pin It