Frutat e thata jo vetëm të blera, ja sesi mund t’i realizoni ato në kushtet e shtëpisë

ytuyu

 

Frutat e thata nuk do të  thotë vetëm t’i blini, por mund t’i thani edhe me duart tuaja në  shtëpi. Tharja e frutave ka disa të mira dhe kjo është  koha ideale për të gjetur frutat ideale që ju dëshironi.

Procesi i tharjes pengon rritjen e mikrobeve në produktin e tharë. Tharja e frutave bëhet në ambjente të ajrosura, të thata, të ngrohta. Që ajrosja të jetë sa më e mirë, mund të përdorni kanate rrjetash që luajnë rolin e vend-tharjeve.

Përpara tharjes, lajini fruta dhe hiqni nga to pjesët e dëmtuara. Disa fruta është mirë  të priten më dysh si kumbullat, fiqtë ose në feta si mollët dhe pjeshkat që të thahen më shpejt.

Mirë është që frutat të vihen për tharje në mëngjes. Ditët e para, frutat përzihen dhe kthehen nga ana tjetër shpeshherë gjatë ditës, mundësisht çdo orë. Kjo bëhet që tharja të kryhet sa më shpejt dhe në mënyrë të njëtrajtshme për të gjithë sipërfaqen e tyre. Frutat mund të mbulohen me napë ose rrjetë që të pengojë ngacmimin nga insektet.

Tharja direkte në diell shkakton humbje më të mëdha të vitaminave C dhe A, si dhe çngjyrosje të frutave të kuqe, të verdha prandaj këshillohet tharja në hije e këtyre. Hija mund të krijohet duke vënë një strehë mbi raftet e tharjes. Gjatë natës frutat mbulohen me pëlhurë ose futen në mjediset e brendshme që të mos marrin lagështirë. Sa më shumë të fryjë ajri, sa më i thatë të jetë moti, sa më i nxehtë ajri, aq më shpejt thahen frutat. Zakonisht për 4-5 ditë thahen. Për të kuptuar nëse janë tharë marrim disa prej tyre dhe i shtypim me dorë.

Nëse në dorë nuk mbetet lagështi dhe frutat nuk ngjiten pas dorës, kur e hapim grushtin, kjo do të thotë se tharja ka përfunduar. Frutat pasi janë tharë duhen ruajtur në vende të mbyllura që të mos thithin lagështirën e ajrit.

Agroweb

Pin It