Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka deklaruar të pa pranueshme kërkesën e partive opozitare në lidhje me pretendimin e tyre se zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës nuk kishte përfillur dispozitat kushtetuese.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë refuzuar po ashtu edhe kërkesat e opozitës për masë të përkohshme dhe kërkesën për dëgjim publik.
Sipas këtij vendimi, zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit është bërë konform Kushtetutës së Kosovës. Ky vendin thuhet të hyjë në fuqi menjëherë.
Seanca në të cilën Thaçi ishte zgjedhur në postin e presidentit është mbajtur më 26 shkurt të këtij viti dhe ishte përshkuar me tensione të shumta në Kuvend.
Aktvendimi i kushtetueses është shpallur vetëm katër ditë para se Thaçi të inaugurohet në postin e shefit të shtetit.Partitë opozitare kanë deklaruar se do ta bojkotojnë ceremoninë, duke e cilësuar Thaçin si një president që është zgjedhur në mënyrë jo të rregullt.