Greqi, Mitsotakis: Shqipëria të mos nxjerrë çështje inekzistente

greqi

Kreu i partisë konservatore greke Demokracia e Re, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një mitingu në Janinë, kritikoi qëndrimin e Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë kohët e fundit. Sipas tij Shqipëria ka bërë një sërë deklaratash për çështje inekzistente si e ashtuquajtura çështja çame.

“Tirana po vendos çështje inekzistente, ndërsa vetë ajo kryen akte të papranueshme, siç janë shembja e shtëpive të grekëve në Himarë, apo transportimi i materialeve propagandistike nacionaliste nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme. Dhe të gjitha këto, në një moment kur nuk do të bashkëpunojë për çështjet reciprokisht të dobishme, si delimitimi i zonave detare të dy vendeve”, ka thënë ai.

Mitsotakis tha se askush nuk mund të përfitojë nga problemet që po kalon aktualisht Greqia për të ndryshuar balancën në Ballkan. Sipas tij Greqia është prej dekadash faktor stabiliteti në Ballkan, por kjo nuk do të thotë që të tjerët të përfitojnë nga predispozita e tyre e mirë.

“Greqia, prej dekadash është një shtyllë e stabilitetit në Ballkan dhe në Mesdheun Juglindor, duke pasur marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi me shtetet fqinje dhe ka treguar solidaritetin e saj në vitet e vështira të fqinjëve tanë, duke mbështetur perspektivën e tyre europiane. Por kjo mbështetje nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si ‘çek i bardhë’, sidomos kur me veprime dhe mospërfillje shkelet respektimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndaj nga Janina po u çoj të gjitha palëve një mesazh të qartë: Mos luani me Greqinë! Dhe mos e konsideroni si të përhershme predispozitën tonë të mirë”, deklaroi Mitsotakis.

Kreu i Demokracisë së Re nuk i kurseu kritikat as për qeverinë “Tsipras”, për ekonominë dhe krizën e refugjatëve si dhe marrëdhëniet me Turqinë për çështjen qipriote.

 

Pin It