Hapet fondi i ekselencës, por ka dhe kushtet e veta !

Për të kryer studimet në një nga universitetet më të mira në botë, qeveria shqiptare sikurse kishte premtuar, do të japë mbështetjen financiare për ekselentët shqiptarë.

Thirrja e këtij viti për çeljen e fondit të ekselencës është shoqëruar me një kusht të ri, punësimi për të paktën 3 vite në vend pas shkollimit. Kjo e fundit, do të risjellë më të mirët për të kontribuar në administratën shtetërore apo në sipërmarrjen private.

Mesatarja mbi 9 e të gjitha viteve të shkollimit të mesëm vijon të mbetet kushti kryesor për ata, që aspirojnë të studiojnë jashtë vendit nëpërmjet këtij programi. Kjo vlen për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme këtu ose jashtë dhe dëshirojnë të ndjekin studimet bachelor ose një program të integruar studimi të ciklit të dytë.

Por, përpara aplikimit, ata duhet të sigurojnë që janë pranuar në njërin prej universiteteve më të mira ndërkombëtare. Kjo e fundit, i referohet renditjes botërore nga “Timer higher education” për vitin 2017. Nuk përjashtohen këtu edhe të tjera universitete në zë europiane. Mjafton të jenë të akredituara dhe të njohura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu, kriter skualifikues është mospërfitimi i një tjetër burse nga shteti shqiptar, si dhe ajo çka është me rëndësi: kontributi në vend pas kthimit. “Të pranojnë të punojnë, së paku, 3 vjet në Shqipëri pas diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën ose pas përfundimit të të gjithë cikleve të studimit, nëse kandidati fitues vijon studimet në ciklet më të larta universitare”, citohet në dokumentin mbi aplikimet në programin e fondit të ekselencës për vitin akademik 2018-2019.

Përveç kritereve të mësipërme, paraprakisht ata që dëshirojnë të përfitojnë duhet të bëjnë gati dhjetë dokumente (të renditura në tabelën përbri) për t’i dorëzuar në fazën e parë të aplikimeve, që nis nga data 1 marsi dhe zgjat për dy muaj.

Mundësinë për të përfituar bursë të plotë studimi e kanë vetëm ata që kanë marrë përgjigje pozitive nga një prej 15 universiteteve më të mira në botë, që ndodhen kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britani duke nisur që nga Oxford, Cambridge e Harvard deri te Kolegji Universitar i Londrës.

Por, kjo nuk përjashton mundësinë e financimit edhe për ata që fitojnë të drejtën e studimit në të tjera institucione të arsimit të lartë në Europë, gjithashtu shumë të njohura. Por në këtë rast, shpenzimet për studimet dhe jetesën duhet të mbulohen nga universiteti pritës në masën 75%. Pjesa tjetër, e cila nuk duhet të jetë më shumë se 8 mijë euro në vit, fiancohet nga shteti shqiptar.

Dokumentacioni për kandidatët aplikues: Formular aplikimi, kopje të pasaportës ose kartës së identitetit, vërtetim të qendrës së banimit, CV e hollësishme, e shoqëruar me dokumentacionin që vërteton të dhënat në CV, dokument që vërteton përfundimin me sukses të studimeve të shkollës së mesme (dëftesë pjekurie, certifikatë e maturës shtetërore etj.)letër pranimi nga institucioni pritës i arsimit të lartë (origjinale ose fotokopje e noterizuar),  planin e studimit për programin që do të ndjekë kandidati në universitetin pritës, një parashikim i detajuar i kostos së studimeve të lëshuar nga universiteti pritës si dhe një vërtetim nga universiteti pritës mbi mbështetjen ose jo financiare nga ana e tij për kandidatin si dhe masën e financimit (origjinale ose fotokopje e noterizuar), në rast bashkëfinancimi, ndërmjet MAS dhe organizatave, fondacioneve dhe institucioneve vendase ose të huaja të paraqitet kopje e noterizuar e dokumentacionit që vërteton marrjen nga kandidati të bursës nga organizatat, fondacionet dhe institucionet vendase ose të huaja (përjashtuar ato shtetërore)si dhe tre rekomandime origjinale për cilësitë e kandidatit. /ATA/

Pin It