“Ibrahim Rugova, udhëtim në kujtesë mes Kosovës dhe Italisë”, libër për udhëheqësin kosovar

20161222172317509-150x200

Studiuesi dhe autori italian, Luca De Poli, ka botuar një libër për figurën e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Libri mban titullin “Ibrahim Rugova, udhëtim në kujtesë mes Kosovës dhe Italisë” dhe ka disa veçori që e karakterizojnë.

Ky libër mundëson kuptimin më të plotë të ngjarjeve në ish-Jugosllavi, sidomos në Kosovë, ku si figurë karizmatike paraqitet Dr. Ibrahim Rugova, me orientime dhe përcaktime pozitive dhe demokratike.

Libri bën edhe një “kthim” dhe vlerësim të qartë të jetës dhe figurës së Presidentit historik kosovar, me retrospektivë të ngjarjeve, si Rambuje-a, bombardimet e NATO-s për 78 ditë, me vlerësimin e mjeteve pamore dhe dëgjimore italiane, mosprania e Evropës në këto procese.

I gjithë hulumtimi në këtë libër përqendrohet rreth figurës së Dr. Ibrahim Rugovës, me vlerësime kundërthënëse pas vdekjes së tij. Figura e tij tashmë është pjesë e pandashme e Historisë së Ballkanit apo Mesdheut, si dhe të Evropës, në një mënyrë edhe të botës. Pra, kuptimi dhe vlerësimi i tij në kontekst historik dhe aktual, është një ndihmesë për të tashmen dhe të ardhmen.

Autori Luca De Poli, doktor në Shkenca Politike, përpilues i librit “78 ditë të bombardimit të NATO-s të Kosovës vlerësuar nga mediat kryesore italiane”, që mori Shpërblimin e Parë Ndërkombëtar Mario Panuzzio, me profesion bankar, ka përcjell me kujdes të veçantë ngjarjet e Kosovës dhe të Ballkanit, duke nënvizuar se edhe në këto errësira të urrejtjes, luftës, masakrimeve, Dr. Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti figurë pozitive dhe konstruktive, me besim në paqe, liri, demokraci, dialog, falje dhe bashkëpunim e bashkëjetesë mes popujve, feve, traditave, kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme.

Libri është i shkruar në gjuhën italiane, por në të ardhmen do të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.

Pin It