Idomeni, “Mjekët pa Kufij” i bien këmbanës së alarmit për shpërthimin e sëmundjeve epidemike

Guinea-ebola

Më shumë se nga tymi i disa zjarreve të vogla apo nga pluhuri i pafund, kampi i Idomenit është i mbuluar nga dëshpërimi i mijëra refugjatëve.

“Mjekët pa Kufij”, që i bien këmbanës së alarmit për shpërthimin e sëmundjeve epidemike, shprehin shqetësimin e tyre se 45% e refugjatëve në këtë kamp janë gra dhe 35% fëmijë, prej të cilëve qindra të pashoqëruar pasi kanë humbur gjatë rrugës prindërit e tyre.

“Gjendja është dëshpëruese. Rreth 1 mijë vetë kaluan natën e së martës jashtë në të ftohtë pa asnjë çadër. ‘Mjekët pa Kufij’ shprehin shqetësimin e tyre për shëndetin e këtyre njerëzve sepse kushtet e sistemit sanitar nuk janë të mjaftueshme për të përballuar gjithë këta njerëz”, deklaroi Viki Markolefa nga ‘Mjekët pa Kufij’.

Vetëm në Greqinë Veriut, përveç Idomenit, janë ngritur edhe katër kampet e tjera pranë Kilkizit me mbi 15 mijë refugjatë dhe po kaq të tjerë vlerësohet se janë tashmë në të gjithë Greqinë.

Ndërkohë në një intervistë që ka shkaktuar reagimin e Athinës, kryeministri sllovak, Robert Fiko, para vizitës së tij në Qendrën Tranzitore për refugjatët në kufirin jugor të Maqedonisë ka kritikuar përsëri ashpër Greqinë.

“Arritëm në pikën që Greqia duhet të sakrifikohet për BE. Tsipras, do ekzistojë vetëm një ‘hotspot’ që do quhet Greqi dhe është përgjegjësia jote sepse nuk bëre asgjë në kufirin greko-turk”, tha ai.

Nga ana e tyre, autoritetet maqedonase që kanë lejuar gjatë së mërkurës rreth 200 vetë të kalojnë, kanë rritur numrin e forcave ushtarake dhe policore në anën e tyre.

“Për Maqedoninë është shumë e rëndësishme që vendet e BE-së të bëjnë të ditur numrin e saktë të refugjatëve që mund të pranojnë brenda një dite. Në këtë mënyrë do e kemi më lehtë që të ballafaqohemi më presionin nga refugjatët në kufirin me Greqinë”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski.

Ministri grek i Emigracionit ka thënë se Greqia po shndërrohet nga vend tranzit ne vend të pritjes dhe mbajtjes së refugjatëve dhe se rreth 70 mijë prej tyre pritet të qëndrojnë në territorin grek në tre vitet e ardhshme, gjatë të cilave pika kufitare e Idomenit do të funksionojë njësoj si tani.

“Megjithëse autoritetet maqedonase vazhdojnë të mbajnë kufirin hermetikisht të mbyllur, qindra refugjatë të tjerë vazhdojnë të vijnë çdo orë me çdo mjet, madje edhe në këmbë, me shpresën se do të vazhdojnë ëndrrën, rrugën e tyre drejt vendeve të Europës Qendrore”..

Pin It