Imitim apo vërtetësi…

Në librin Shkencë e kozmosit, shkencë e shpirtit, William Chittick-u shkruan:

“Të kuptuarit intelektual, nëse flasim përpiktazi, gjendet në kulmin më të lartë të vetvetes njerëzore, pra në atë që filozofët e quajnë “intelekti i mirëfilltë”. Kur të kuptuarit e tillë e lë sferën e inteligjencës së kulluar dhe zbret në nivelin e mendimit dhe gjuhës, kemi të bëjmë me shprehjen e tij, që do të jetë gjithnjë e mangët. Si fillim, të shprehurit përbën thjesht dije të transmetuar, jo të kuptuarit e vërtetë. Prapëseprapë, ende mund të çmojmë faktin se, në Islam dhe traditat e tjera, është bërë gjithnjë dallimi mes këtyre dy llojeve të dijes.

Tradita intelektuale në Islam ka shtjelluar katër tema bazë: Zotin, kozmosin, shpirtin njerëzor e marrëdhëniet ndërvetjake. Tri të parat janë përbërëset themelore të realitetit që përndijojmë, ndërsa e katërta i zbaton tejvështrimet e arritura nga studimi i tyre në sferën e veprimtarisë njerëzore. Sigurisht, për të gjitha këto tema mund të lexosh në burimet autoritative të dijes së transmetuar, si Kur’ani e Hadīthi, por t’i njohësh vetë është krejt çështje tjetër. Për traditën intelektuale, dija e transmetuar luan rolin e shigjetave treguese drejt një të kuptuari që duhet aktualizuar dhe realizuar nga vetë kërkuesi.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar dallimin ndërmjet dijes së transmetuar dhe intelektuales është që të thellohemi mbi dallimin ndërmjet “imitimit” ose “ndjekjes së autoritetit” (taklīd) dhe “realizimit” ose “vërtetësimit” (tahkīk), terma këto që tregojnë dy rrugë bazë për arritjen e dijes. Për të qenë pjesëtar i cilësdo feje, kulture, shoqërie a grupi, duhet të mësosh nga pjesëtarët e tyre, dhe ky proces i të mësuarit vazhdon përmes “imitimit”. Kështu e mësojmë gjuhën dhe kulturën, pa përmendur shkrimet e shenjta, ritualet dhe ligjet. Në kontekstin islam, ata që kanë marrë përsipër përgjegjësinë e ruajtjes së trashëgimisë së transmetuar quhen ʿulemā, pra “njohës” të traditës.”

Pin It