Islami, Imani, Ihsani…

Prijësi i besimtarëve Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton dhe thotë: Një ditë, ndërsa po qëndronim me Pejgamberin, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, përpara nesh u paraqit një njeri me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zinj. Tek ai nuk dukeshin shenjat e udhëtimit dhe askush nga ne nuk e njihte. U ul pranë Pejgamberit, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, i mbështeti gjunjët e tij me gjunjët e Pejgamberit dhe i vendosi duart mbi kofshët e tij dhe tha:

“O Muhamed, më thuaj çfarë është Islami?”

Pejgamberi, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, tha: “Islam është: të dëshmosh se nuk meriton askush të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe Pejgamberi i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të bësh haxhin në Qabe, nëse ke mundësi.”

(Njeriu) tha: “të vërtetën pohove.”

Ne u habitëm nga ajo që ai e pyeste e pastaj thoshte se (Pejgamberi) po pohonte të vërtetën.

Ai tha: “Më thuaj çfarë është Imani (besimi)?” Ai (Pejgamberi) u përgjigj, “të be-sosh Allahun, melekët e Tij, Librat e Tij, Pergamberët e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në Caktimin (kaderin), se e mira dhe e keqja vijnë prej Tij .”

Ai tha: “të vërtetën pohove.” Dhe më pas tha: “Më thuaj çfarë është Ihsani (mirësia e përsosur)?”

Ai u përgjigj: “Ai është, të adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë Atë, pasi edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai me të vërtetë të sheh ty.”

Ai tha, “Më thuaj për Çastin[Dita e Kijametit] se kur do të ndodhë?” Pejgamberi, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të u përgjigj: “I pyeturi nuk di më tepër sesa pyetësi.”

Ai tha: “Më thuaj për shenjat kiametit.” Ai iu përgjigj: “Robëresha do të lindë të zonjën e saj; dhe do t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit e të varfërit, barinjë të dhenve duke bërë gara se kush ndërton më tepër ndërtesa të larta.”

Pastaj, ai u largua, ndërkohë që unë qëndrova për shumë kohë. Pejgamberi, lavdia dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, më tha: “O Omer, a e di kush qe pyetësi?” Unë i thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili, dhe erdhi që t’ju mësojë fenë tuaj.”

[Muslimi]

Pin It