Kadare, në një qytet librash në Bibliotekën Kombëtare

kadare

Ka një lexim ndryshe që Biblioteka Kombëtare do t’u bëjë veprave të shkrimtarit tonë, Ismail Kadare, në kuadër të 80-vjetorit të lindjes.

Një sërë aktivitetesh do të nxjerrin në pah raportin e privilegjuar që ka ndërtuar shkrimtari me kulturën shqiptare, e përmes saj edhe me atë botërore.

Kjo marrëdhënie specifike zë fill qysh me botimet e hershme të Kadaresë dhe vijon gjithnjë e më intensive dhe komplekse edhe sot, përmes leximesh, interpretimesh, analizash e sidomos përvojash estetike të rralla që vepra e tij ua dhuron bujarisht lexuesve prej rreth 65 vjet krijimtarie letrare të pandërprerë.

Pikërisht, për të rrokur disa nga pamjet më bashkëkohore të këtij rrugëtimi kulturor të pashembullt, Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim me botën akademike dhe botues, do na sjellë tri qasje të ndryshme, studimore, estetike e informative përmes: konferencës shkencore “Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi”, ekspozitës “Qytetet e Kadaresë” dhe promovimeve të disa botimeve shkencore realizuar me rastin e 80-vjetorit të shkrimtarit.

Në konferencën shkencore që do të hapë siparin nesër, profesionistë të botës së letërsisë do të sjellin një interpretim të veprës së shkrimtarit nga romanet te poezia, nga dialogu te digresioni, nga shkrimi te teksti, nga fiksioni tek eseja, nga botimet kritike te leximet subjektive.

Interesante është dhe ekspozita “Qytetet e Kadaresë”. Kjo ekspozitë synon të ndërtojë përmes titujve, pasazheve, librave por edhe imazhesh simbolike një nga tiparet më interesante të veprës së Kadaresë, “shkrimin e Qytetit”, shndërrimin e tij në një personazh të mirëfilltë letrar.

Ky shkrim specifik zhvillohet falë një procesi të përhershëm rikthimi e rishkrimi, kompleksiteti kujtese, ëndërrimi e invokimi, vëzhgimi dhe zbulese.

Natyrshëm, ekspozita “Qytetet e Kadaresë” e nis rrugëtimin me një nga pamjet më mbresëlënëse dhe më ndikuese të veprës së Kadaresë, siç është rrugëtimi brilant në Kujtesën e qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës, që pikërisht për këtë bëhet edhe Qytet universal.

Më tej, ajo vijon me qytetet e tjera që kanë lënë mbresë jo vetëm në jetën e autorit, por sidomos në krijimet e tij: Moska, Stambolli, Tirana, Parisi etj.

Ato vijnë si qytete jo thjesht të përshkruara, por themelore në subjektet e prozës apo në fatet e personazheve të tyre, herë si qytete-kujtesë, herë si qytete-mungesë, herë si qytete-pushteti, herë si qytete-rinie, e herë si qytete-lirie.

Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jenë dhe promovime të librave mbi veprat e shkrimtarit.

 

Pin It