Kalendari historik, 6 janar

6 Janari është dita e 6 e vitit, deri në fund të vitit janë edhe 359 ditë.

 

fan-s-noli-si-u-b-euml-ra-shkrimtar-audio-e-rrall-euml_hd

1882 – Në fshatin shqiptar Qytezë (Ibriktepe) të Trakisë, lindi Theofan Stilian Noli, i njohur më mirë si Fan Noli – shkrimtar, studiues, diplomat, politikan, historian, orator, dhe themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare; ai shërbeu si kryeministër dhe regjent i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit të qershorit.
Fan Noli nderohet mes shqiptarëve si kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës dhe atdhetarizmit. Ai ka luajtur rol të rëndësishëm në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Kontributi i tij në anglisht është, gjithashtu, i shumëfishtë: si studiues dhe autor i një sërë publikimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime.
Noli u diplomua në Harvard dhe u shugurua prift në vitin 1908, duke krijuar në këtë mënyrë Kishën Shqiptare dhe ngritjen e gjuhës shqipe në përdorimin kishtar. Pas Luftës së Parë Botërore, Noli udhëhoqi përpjekjet diplomatike për të marrë mbështetjen e presidentit amerikan Wilson. Më vonë ndoqi karrierë politike e diplomatike, duke çuar me sukses kërkesën shqiptare për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve. Figurë e respektuar, Fan Nolit iu kërkua për të udhëhequr revolucionin e qershorit 1924. Më pas, ai shërbeu si kryeministër deri sa qeveria e tij u rrëzua nga Ahmet Zogu. Në dhjetor 1924, Fan Stilian Noli ikën në Itali, vendoset përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1930, dhe mori shtetësinë amerikane duke rënë dakord për t’i dhënë fund përfshirjes në politikë. Noli e kaloi pjesën tjetër të jetës si studiues, fetar, shkrimtar; vdiq më 13 mars 1965 në Florida.

1446205797-muharremi

1920 – Lindi Sandër Prosi, aktor shqiptar.

Sandër Prosi (lindi në Shkodër, më 6 janar 1920, vdiq më 35 mars 1985) në Tiranë. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike. Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Përvoja që ky aktor krijoi dhe përpunoi gjatë këtyre 35 vjetëve në krijimin e mëse 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, përbëjnë atë “Universitet” nga lindi e u zhvillua shkolla jonë kombëtare e interpretimit skenik e filmik, prandaj tiparet karakterizuese të artit të S. Prosit kanë tërhequr vëmëndjen e kritikëve dhe të shikuesve. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, mbasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare. Si të tilla zënë një vënd të rëndësishëm në ndihmesën që teatri dhe filmi ynë japin në thesarin tonë të kulturës përparimtare si dhe në atë të nivelit botëror të interpretimit. Prandaj krijimet filmike të Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran,por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike.

Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” me Çmime të Republikës, me urdhëra e medalje.

Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi Presidenti i Republikës e nderon me Urdhrin “Nderi i Kombit”

Më 25 mars 1985 Sandër Prosi ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen papritur.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaja Vanja” etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat “Debatik”, “Detyrë e posaçme” (1963), Vitet e para (1965), “Horizontet e hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe “Pranverë e hidhur” filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

1852 – Vdiq Louis Braile – krijues i shkrimit për të verbër. Ky alfabet u përdor për herë të parë në vitin 1829, kurse libri i parë me këtë alfabet është botuar në vitin 1837. Aktualisht alfabeti në reliev i modifikuar dhe i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme është pranuar në të gjithë botën. Për formimin e shkronjave L. Braj përdori sistemin gjashtë pikash. Ky sistem shkrim-leximi lehtëson shumë të verbërit për të mësuar dhe për të komunikuar. Në Shqipëri, sistemi i shkrimit Brajl u përpunua në vitin 1963 në një variant që u përshtatet veçorive të gjuhës shqipe dhe po atë vit filluan të shkruhen tekstet e para shqipe me këtë sistem.

 

Pin It