Dëbora dhe ngricat përfshijnë gjithë territorin

berati

Reshjet e dëborës kanë mbuluar shumicën e territorit të vendit përfshirë zonat bregdetare. Qytetet e Durrësit dhe Kavajës, por edhe Tirana gjatë natës janë përfshirë nga reshjet e dëborës për herë të parë pas disa vitesh.

Rajonet e tjera të vendit kanë patur reshje më të dendura dhe në verilindje e juglindje disa akse rrugore janë të kalueshme me vështirësi edhe me zinxhirë, ndërsa disa fshatra janë bllokuar dhe nuk kanë as energji elektrike.

Akset rrugore Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel kalohen me zinxhirë me shumë vështirësi. Ura e Çerenecit-Klenjë është e bllokuar.

Në Dibër të gjitha njësitë administrative janë të bllokuara. Rruga Peshkopi­ – Tiranë është e kalueshme me vështirësi vetëm me zinxhirë. Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës në disa fshatra të Dibrës mungon energjia elektrike. Rruga e Kombit vazhdon të jetë e mbuluar nga ngricat. Makinat e bllokuara në këtë rrugë pengojnë edhe borëpastrueset për të bërë të aksesueshme këtë rrugë. Disa persona të sëmurë nëpër fshatra janë dërguar në spitalin e Burrelit për ndihmë mjekësore.

Për shkak të motit të keq, ka probleme me furnizimin dhe ndërprerje të energjisë elektrike edhe në disa zona në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit.

Probleme me qarkullimin ka edhe ne aksin Elbasan-Librazhd -Qafë Thanë. E bllokuar nga bora është njësia administrative Stëblevë, ku trashësia arrin 50 cm. Është bllokuar qarkullimi në kthesën e Murrashit, në rrugën Librazhd-Elbasan.

Në ditët në vijim pritet të ketë rënie mëtejshme të temperaturave.

Pin It