Kantautori shqiptar në Sanremo 2017, Kritika: Teksti më i mirë i festivalit

Ermal Meta

Ermal Meta

Kantautori shqiptar Ermal Meta do të këndojë sot në natën e parë të Festivalit Kombëtar të këngës italiane “Sanremo 2017″.

Kantautori shqiptar është një nga 22 këngëtarët e zgjedhur në garën për kategorinë “kampioni”, përkrah emrave të njohur të muzikës italiane si Albano, Fiorella Manoia, Gigi D’Alessio, Paola Turci, Nesli, Fabrizio Moro, Michele Zarrillo etj.

“Sanremo për mua nuk është një garë, pasi kur flitet për muzikë nuk mund të flasësh për garë. Është sikur të gërmosh në ujë. Pra e pamundur,” u shpreh ai për mediat italiane.

Sot në natën e parë të këtij festivali do të performojnë dhe këngëtarët e njohur italianë si Albano, Alessio Bernabei, Clementino, Elodie, Ermal Meta, Fabrizio Moro, Fiorella Mannoia, Giusy Ferreri, Lodovica Comello, Ron, Samuel, ndërsa të ftuarit specialë do të jenë superstari i muzikës latine, Ricky Martin e grupi britanik “Clean Bandits”.

Kënga e Ermal Metës mban titullin “Vietato di morire”, “E ndaluar të vdesësh” dhe konsiderohet nga kritika italiane si teksti më i mirë i këngëve pjesëmarrëse në ‘Sanremo 2017’.

Kjo këngë është një kauzë e fortë kundër dhunës në familje, dhunës ndaj gruas, dhunës ndaj nënës, ndaj fëmijës, dhunës ndaj çdo qënie humane. Është një rrëfim autobiografik i kantautorit shqiptar. Në konferencën e shtypit të prezantimit të pjsëmarrësve të këtij Festivali, Ermal Meta është shprehur se “kjo këngë, e ky tekst nuk është vetëm historia ime që kam fatin ta tregoj. Por është një temë aktuale, që dëshiroj shumë që t’i përkiste të shkuarës e jo të tashmes.”

Titullin e kësaj kënge do ta mbajë dhe albumi i ri i Ermal Metës, i cili do të dalë në tregun muzikor italian më datë 10 shkurt.

Festivali i këngës italiane ‘Sanremo 2017’ do të zhvillohet prej ditës së sotme deri në 11 shkurt. Ky Festival do të drejtohet nga prezantuesit Karlo Konti e Maria De Filipi.

 

Pin It