KE do të hapë negociatat në 9 nëntor

bruksel

Komisioni Europian pritet të japë në 9 nëntor një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Lajmi konfirmohet nga institucione shqiptare të komunikimit me Brukselin, të cilat janë në pritje të progres-raportit të shteteve për këtë vit.

Ndër kushtet që do i duhet të plotësojë Shqipërisë për të marrë rekomandimin është zbatimi i reformës në drejtësi. Megjithatë nuk dihet si do të ndikojë ankimimi i Vetingut në Kushtetuese nga Partia Demokratike. Megjithëse ministrja Klajda Gjosha është shprehur se kjo nuk e pengon hapjen e negociatave.

Ndërkohë vendit tonë do i duhet të fitojë edhe besimin e shteteve anëtare të Këshillit të Ministrave, të cilat do të vendosin përfundimisht për hapjen ose jo të negociatave. Në këtë situatë pritet të shihet nëse do të ndikojë apo jo tensioni në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.

“Duke pasur parasysh faktin se tashmë reforma ka marrë rrugën e duhur dhe ne kemi nisur edhe implementimin e saj, pra ligji i vetingu tashmë do të nisë të zbatohet, unë do të thoja që ne nuk do të kemi një problematikë me rekomandimin pozitiv le të themi që ne shpresojmë ta marrim  në progres-raportin e nëntorit,” tha Gjosha.

Ministrja përmendi edhe luftën ndaj kanabisit si një nga prioritetet që duhen realizuar.

“Kjo duhet të jetë patjetër një prioritet i qeverisë shqiptare për të luftuar këtë fenomen. Ajo çfarë është e rëndësishme është që ne të evidentojmë personat përgjegjës për këtë çështje. Kjo do të mbetet një sfidë madhore që do të ketë vendi, politika shqiptare por dhe institucionet përgjegjëse në mënyrë që kjo të luftohet në zinxhirin e saj deri në fund dhe të mos lihet përgjysmë me punën që bën policia në vend”, tha ministrja.

Pin It