Kosovë, Festivali Bunarfest, gati për edicionin e 13-të

Njëri prej festivaleve më unike në Kosovë, Bunarfest, sivjet do ta organizojë edicionin e tij të 13-të, i cili do të mbahet më 20/21 maj në qytetin e Prizrenit.

Në këtë festival organizohet gara e lëshimit me goma në lum, në një shteg prej 2.8 kilometrave, i cili përfundon pikërisht në Urën e Gurit, në qendër të qytetit të Prizrenit.

Në këtë garë mund të merr pjesë kushdo, duke e plotësuar formën e aplikimit në webfaqen e festivalit.

Përveç kësaj gare atraktive, në kuadër të festivalit do të ketë edhe evente muzikore, ku në mbrëmjen e 20 majit në Marash do të performojë DJ i njohur nga Britania i muzikës “DnB”, Big Bud, së bashku me  DJ-in nga Kosova SHP, derisa një ditë më pas, të dielën më 21 maj, garës së lëshimit me goma do t’i shoqërojë muzika reggae nga performanca live e bendit slloven, Raggalution, së bashku me DJ-in nga Shqipëria, Positive Cut’s.

Organizatorët e festivalit, ndër tjerash i kanë dhënë rëndësi të veçantë edhe ruajtjes së mjedisit, pasi që në kuadër të festivalit do ta kenë edhe një aktivitet të pastrimit të lumit, më 20 maj, ku përveç vullnetarëve të festivalit, këtij aktiviteti do t’i bashkohen edhe vullnetarë të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” dhe vullnetarë nga organizatat e tjera lokale.

Pin It