Krijohet Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Krijohet Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Qeveria vendosi sot ngritjen e kësaj qendre me statusin e institucionit qendror në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Misioni i qendrës synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror.

Si përgjegjësi kryesore e Qendrës janë funksionet që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, duke kontribuar edhe në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton programet dhe financon projektet në fushën e librit. Po ashtu, kjo qendër mbështet botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore edhe në format të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara.

Qendra, nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit. Realizimi i projekteve miratohet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi i QKLL-së.

ATA

Pin It