Kriteret për bursa studimi në arsimin profesional

arsimi-1

Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Për hyrjet e reja në vitin e parë, në sistemin arsimor publik që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri mësimor 2016-2017 MMSR-ja jep 2.100 bursa. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore për të gjitha kategoritë e shkollave është data 15 mars 2017.

Veç hyrjeve të reja, përfitojnë edhe nxënësit e viteve të mëparshme që plotësojë kriterin ekonomik, apo kanë një status social, siç janë jetimët apo invalidët. Nxënësve që nuk frekuentojnë mësimin apo nuk ndjekin praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore, u ndërpritet menjëherë bursa.

Kriteret për përfitimin e bursave

Lidhur me kriteret e përfitimit, përfshihen nxënësit që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre e që plotësojnë kriterin ekonomik, nxënësit që banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, që plotësojnë kriterin ekonomik, dhe akomodohen në konvikte publike. Bursë shteti përfitojnë nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10.

Disa kategori nxënësish me status social, janë: nxënësit që kanë përfituar statusin e jetimit; nxënësit që kanë humbur kujdestarinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë; nxënësit që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik; nxënësit që gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë; nxënësit, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit e përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera; nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional; nxënësit që janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror; nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Po ashtu, sipas vendimit të qeverisë, bursë përfitojnë edhe ata nxënës që ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional në disa degë parësore, ku përfshihen: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit. Si dhe, nxënësit me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë. Sipas vendimit të qeverisë, këshillat bashkiakë duhet t’u japin përparësi nxënësve që vijnë nga shtresat sociale në nevojë për t’u dhënë bursë të plotë, si dhe nxënëseve vajza.

Pin It