“Politika dhe Ndërgjegja”, një ekspozitë për njeriun e vlerave Vaclav Havel

pozdrav_cz

“Politika dhe Ndërgjegja”, titullohet ekspozita e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog, ku shfaqen 20 foto nga jeta politike e Vaclav Havel, Presidentit të parë të Republikës Çeke.

I konsideruar si një prej politikanëve, idetë e të cilit u kthyen në frymëzim për gjithë Europën, Havel nuk kurseu asgjë nga jeta e tij për të përçuar demokracinë dhe mbrojtur të drejtat e njeriut.

Me këtë rast, ambasadorja e Çekisë në Tiranë, Bronislava Tomasova, e personifikon Havelin si ‘njeriun e vlerave’. “Vaclav Havel është një artist dhe shkrimtar me vlera. Ai ka një vend të veçantë te shqiptarët për shkak kontributit të tij për Kosovën”, tha ambasadorja.

Një prej bashkëpunëtorëve të tij më të mirë, Michael Zantovsky, rrëfen përpjekjet e Vaclav Havel për të mposhtur frikën e komunizmit tek populli çek dhe për të instaluar demokracinë.

Ai e konsideron Havelin njeri të shumë fushave dhe roleve, por modest.

“Ajo që më bënte përshtypje të Havel ishte fakti se ai ishte i përfshirë në shumë fusha, pra kishte disa role. Shumë prej nesh, në zyrë jemi shef, në shtëpi bashkëshort dhe për këtë ndryshojmë edhe sjelljet tona. Ndërsa Havel ishte një, ndër të paktët njerëz që kam takuar, i cili nuk ishte i tillë. Ai ishte gjithmonë i njëjti person, modest”, tha Zantovsky.

Vaclav Havel, shkrimtari dizident dhe ish presidenti çek u nda nga jeta më 18 dhjetor 2011, në moshën 75 vjeçare. Ai ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në vendin e tij, pas Revolucionit Kadife pa dhunë, që i dha fund katër dekadave shtypjeje në vend. Si president, ai drejtoi tranzicionin e Çekosllovakisë në demokraci dhe ekonominë e tregut të lire.

Havel u largua nga posti në vitin 2003, 10 vjet pasi Çekosllovakia u nda në Republikën Çeke dhe Sllovakinë, dhe vetëm disa muaj para se të dyja vendet të hynin në Bashkimin Evropian.
Atij i njihet merita për hedhjen e bazave që çuan në anëtarësimin e vendit në bllokun me 27 anëtare dhe ishte president kur Republika Çeke u pranua në NATO, në vitin 1999.

Havel ishte disa herë kandidat për çmimin Nobel të Paqes dhe mori një numër çmimesh për përpjekjet e tij në mbrojtje të të shtypurve, që nga Darfuri e deri në Birmani.

Pin It