Ku ishe ti?-Frederik Rreshpja

Ku ishe ti kur dola i vetëm nën hënë?

Në ç’hënë barisnje vallë?

Ku ishe ti kur vizitova profilin tënd

Në xhamin e muzgut që krisi dhe u thye me trishtim?

Pastaj erdhi nata mbushur me mungesën tënde

Pastaj erdhi prap nata

dhe kështu ka për të qenë deri në ditën e fundit të netëve.

Zbrita tek kroi

duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit

Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave.

Lisi plak lëshoi përdhe kurorën e vjeshtës

Si një sovran që abdikon.

Ani, mua më zuri ky mallkim.

Po qysh bën pylli pa ty? Si del vjeshta?

A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë?

Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet?

Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët?

Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët!

 

Pin It