Kur më shumë, mendon për të tjerët…

Hz. Omer ibn Hattab (r.a), kur ishte kalif, pati kërkuar emrat e të varfërve të qytetit Homs në Siri, me qëllim që t’i jepte përkrahje sociale nga Shtëpia e Thesarit. Kur ia sollën emrat e më të varfërve, kalifi Omer (r.a) u habit shumë kur mes tyre lexoi dhe emrin e guveratorit të Homsit, Seid ibn Amir (r.a).

Hz. Omer (r.a), u habit shumë prej kësaj dhe pyeti delegacionin që kishin sjellë listën e emrave përse guvernatori ishte në atë listë, a mos vallë kishin bërë ndonjë gabim? Delegatët i thanë: “Guvernatori ua shpërndan rrogën e tij të varfërve dhe nevojtarëve të qytetit, duke thënë: Ç’të bëj tjetër ndërkohë që për këta njerëz jam përgjegjës para Zotit?!”

Hz. Omer (r.a), i pyeti: “A keni ndonjë pakënaqësi ndaj tij?” Dhe ata u përgjigjën: “Po kemi tre gjëra për të cilat nuk jemi të kënaqur me të: E para, nuk del nga shtëpia dhe nuk takohet me ne veçse afër drekës. E dyta, nje ditë në javë mbyllet në shtëpi. E treta, natën nuk e shohim fare.”

Atëherë Kalifi Omer (r.a), e thirri Seid ibn Amir dhe e pyeti për këto tre ankesa të njerëzve të tij. Ai u përgjigj: “Po o prijës i besimtarëve, ashtu është. Fatki që unë nuk dal t’ i  takoj veçse afër drekës, është për shkak se vetëm atëherë i përfundoj punët e shtëpisë, pasi nuk kam shërbëtor dhe gruaja ime është e sëmurë. Arsyeja pse nuk dal fare nga shtëpia një ditë në javë, është se nuk kam veçse një palë rroba për të veshur. Këtë ditë i laj dhe pres të thahen. Ndërsa arsyeja pse nuk më shohin natën është se meqë gjithë ditën u jam përkushtuar halleve dhe problemeve të njerëzve, natën ia kam përkushtuar Zotit tim.”

Hz. Omer (r.a), i rrodhën lot dhe i tha nënpunësve që Seid ibn Amirit t’i jepeshin të holla për nevojat e tij, e megjithatë ai sapo i mori ua shpërndau përsëri njerëzve në nevojë…

Pin It