Kurani, bukuri që nuk vyshket kurrë…

Kurani është drita e amshueshmërisë, e cila shkëlqen në botën e shkronjave dhe fjalëve. Kurani është fryma dhe zëri i botës shpirtërore në atllasin e ndjenjave dhe mendimeve të njerëzve dhe xhindëve. Kur erdhi dita dhe Kurani u shndërrua në margaritar brenda një guaske krejt të veçantë, pikërisht atëherë edhe sytë e baballarëve të fjalës morën një bukuri që nuk vyshkej e që nuk çngjyrosej.

Sapo Kurani lindi si një diell, të paktën në vështrimin e atyre që s’kishin paragjykime, retë lëmshe-lëmshe që kishin nxirë horizontet gjer atë ditë, u shpërndanë e shkuan dhe doli në shesh ajo pamja e bukur mbi të bukurat e ekzistencës dhe e gjithë materia u shndërrua në paragrafë, fjali dhe fjalë të një libri që të jep kënaqësi kur e lexon… Sapo u dëgjua zëri i Kuranit, syve të zemrës u zbritën dritëra dhe edhe ndjenjat e shkumëzuara në shpirtra, edhe gjuhët interprete të atyre ndjenjave filluan t’ua thonë këngëve të dritës.

Kurani është kreu i dijes së shëndoshë dhe i mendimit të shëndoshë; gjithashtu Kurani është baza e shprehjes së drejtë dhe e deklaratës logjike. Kurani bëri t’i dëgjohet emri në një hop në vendet më të fshehta e më të errëta dhe heshti të gjitha britmat ngatërrestare që lëshonin shkëndija; në çdo mendim pa paragjykim zgjoi ndjenja të buçitjeve të ujërave parajsore dhe, duke shuar zjarret e vetmisë në zemrat që ngadhënjeu, në të gjithë shpirtrat vuri në lëvizje entuziaste dëshirën dhe shpresën për bashkim. Natyrat krejt të ftohta me të morën ngrohtësi dhe zemrat që digjeshin flakë me dëshirën e përjetësisë, me të u freskuan!

Nëse në këtë botë të përkohshme e të vdekshme ku çdo gjë e re vjetrohet e rrënohet dhe ku çdo gjë e freskët fishket e zverdhet, në ka një gjë që mundet të mbetet në çdo kohë plot ngjyra dhe krejt e freskët, ai është Kurani! Brenda një mijë e katërqind e ca vjetësh që kanë kaluar nga dita kur Kurani ngriti fron në zemrat tona, janë përgatitur shumë mbretër të fjalës sipas periudhave përkatëse dhe janë ngritur mbretëri shprehjeje; sisteme të ndryshme, ekole të ndryshme, rryma ideore të ndryshme me më të magjishmit e fjalëve, me më magjistarët e shprehjeve, kanë përdorur të gjitha municionet për ta shprehur veten dhe për ta shembur Kuranin, i janë drejtuar çdo fortifikate dhe kanë luftuar vazhdimisht me këtë Libër, por, përballë përputhshmërisë së parimeve të parashtruara prej tij lidhur me gjithësinë, materien dhe njeriun, përballë thellësisë dhe bindshmërisë së shpjegimeve, përballë karakterit shkencor të përgjigjeve ndaj pyetjeve eventuale, gjithmonë kanë rënë të mundur!

Në Kuran thuhet: “Po qe se malet do të viheshin në lëvizje, kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kuranit; po qe se toka do të bëhej copë-copë dhe të vdekurit do të mund të bëheshin që të flisnin, prapë kjo do të bëhej e mundur vetëm me anë të Kuranit!” Kështu thotë Kurani, sepse ai ka ushtruar një ndikim të tillë në zemrat, në vetëdijet, në ndjenjat e në mendjet, që kjo ndikueshmëri e tij nuk mbetet pas nga lëvizja e maleve, nga copëtimi copë-copë i tokës, nga bërja e të vdekurve që të flasin dhe nga dhënia jetë kufomave të kalbura prej mijëra vjetësh!

Pin It