Kuvendi i Kosovës-Mustafa: Në 2 nëntor hyn në fuqi ligji për Trepçën

kuvendi-2-e1468503757333

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në seancën e rregullt plenare ka siguruar në fjalën e tij se ligji për Trepçën do të procedohet në Kuvend brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj.

“Ligji është përgatitur dhe është konsultuar dhe pas kalimit në Komisionin e Ekonomisë ligji do të proçedohet në kuvend që të nënshkruhet dhe miratohet. Ligji do të vijë në kuvend dhe do të aprovohet në afatin që nuk do rrrezikoje Trepçën”,  tha Mustafa.

Seanca nisi me një fjalë të nënkryetarit Sabri Hamiti, për jubileun e ngjarjes historike të para çerek shekulli, kur kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur në Referendumin e mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Nuk është në axhendë Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, i cili ishte në rend dite, por u tërhoq nga qeveria në seancën e fundit të sesionit pranveror, në 1 shtator, ku mungonte grupi parlamentar i Listës Serbe dhe opozita deklaronte se koalicioni qeverisës për miratim nuk i kishte së paku 80 votatat e duhura nga parlamenti 120 anëtarësh.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, ku kryeministri Isa Mustafa paralajmëroi një Ligj për Trepçën  “në afatin që të mos rrezikohet e ardhmja e saj”, votimi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore nuk kishte numrin e mjaftueshëm.

Ndërsa, me propozimin e grupit parlamentar të LDK-së e përkrahje nga grupet tjera, u shtynë votimi i  Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, që ishte pika 5, si dhe pikat 8 e 9, ku ishte paraparë të shqyrohen dy propozim-vendime të qeverisë së Kosovës, sipas  të cilave konstatohet interesi publik për lëshimin e licencës për hulumtim për dy kompani:  “Envidity Energy Kosova LLC” dhe “Sharr Cem dhe Titan America”.

Seanca po vazhdon me Interpelancën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri (kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje), i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës.  Kryeministri Mustafa, i cili po flet në këto momente, tha se për kodin shtetëror telefonik të Kosovës edhe sot janë duke vazhduar bisedimet teknike në Bruksel.

Po ashtu, në seancën e sotme të Kuvendit është edhe interpelanca tjetër e kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

 Këto dy interpelanca ishin në axhendën e Kuvendit të Kosovës edhe në seancën e 1 shtatorit, në pikat 4 dhe 5, por u tërhoqën nga vetë kërkuesit – grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe u kalua më shpejtë në pikën e demarkacionit, që ishte e 6-ta.

Kuvendi do të zgjedhë edhe  një anëtar të Këshillit Prokurial të Kosovës.

Pin It