Presim “Tetorin Gjerman”, për të dhjetin vit rradhazi në Shqipëri.

tetori-gjerman

Tashmë për të dhjetin vit rradhazi, ambasada gjermane organizon “Tetorin Gjerman”, javët e kulturës gjermane në Shqipëri.

Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schütz, tha sot në një konferencë për shtyp se në këtë përvjetor është hartuar një program i larmishëm dhe emocionues.

“Si për çdo vit edhe këtë vjeshtë do të organizojmë “Tetorin Gjerman“, javët e Kulturës Gjermane në Shqipëri, që këtë herë shënojnë edicionin e tyre të 10-të. Një vazhdimësi e tillë është e mundur vetëm në sajë të pjesëmarrjes së shumë partnerëve – gjermanë dhe shqiptarë – në formësimin e programit dhe të mbështetjes së sponsorizuesve tanë besnikë”, thotë Schutz.

Qëllimi ynë i përbashkët, vijon mesazhin ambasadorja gjermane, është që përmes Tetorit Gjerman të tregojmë diapazonin e gjerë të marrëdhënieve gjermano-shqiptare dhe të sjellim më pranë njëri-tjetrit njerëz nga të dy vendet tona. “Edhe për këtë vit arritëm të krijojmë një program mjaft të larmishëm: filma, teatër, muzikë, mbrëmje leximi, diskutime politike dhe shumë e shumë të tjera ju presin”, shprehet Schutz.

Ambasadorja informon se vëmendje të veçantë i është kushtuar krijimit të një shkëmbimi real e konkret – në formën e workshop-eve, ku gjermanë dhe shqiptarë do të punojnë për një produkt të përbashkët. “Sepse me të gjitha projektet tona kulturore ne duam të kontribuojmë, që gjermanët dhe shqiptarët të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe – në rastin ideal – edhe të mësojnë prej njëri-tjetrit”, thotë ajo.

 

Pin It