Çelet sot ekspozita “Thesare të shpëtuara”, 62 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare në Muzeun Historik

mhk_pamjembremje1-1024x4122-970x390

“Thesare të shpëtuara” titullohet ekspozita e çelur të enjten në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ku janë ekspozuar 62 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ekspozita u hap në kuadër të 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe ka si qëllim të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së thesareve të trashëgimisë kulturore.

Ekspozita ikonografike, e hapur nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, sjell 62 nga ikonat e sekuestruara në cilësinë e provës materiale nga koleksionisti Gjergji Thimio, të kaluara në pronësi shtetërore.

Në ceremoninë e çeljes së ekspozitës ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro , e cila theksoi se “këto 62 objekte u përzgjodhën nga koleksioni me 476 objekte ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë. Ky koleksion i veprave është një vlerë për kombin tonë dhe ne po bëjmë një trajtim të veçantë për ikonat e sekuestruara, të cilat janë pasuri kulturore”.

“Për çeljen e kësaj ekspozite duhet të vlerësojmë skuadrën profesioniste, të cilët kanë punuar me pasion e kujdes dhe çdo ditë kanë kataloguar, çertifkuar dhe krijuar një fond të jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kultutore me këto objekte të artit bizantin”, theksoi Kumbaro, duke shtuar se sot hap dyert muzeu i artit mesjetar.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ishte një punë e vështirë, sepse dokumentacioni ishte i mangët dhe kërkonte ekspertë. Një ekip prej 15 personash nga institucionet e MHK-së dhe Qendrës Kombëtare të Inventarizimit, hartuan një katalog profesional që tregon sesi punohet”.

Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro nënvizoi se gjithashtu se “e gjykuam me vlereë që pikërisht sot në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të tërheqim vëmendjen për ruajtjen e trashëgimisë dhe luftën kundër trafikimit të objekteve të saj”.

Diçiturat e ekspozitës janë realizuar, duke u mbështetur në katalogun e hartuar nga komisioni i ekspertëve të trashëgimisë kulturore, të cilët pas një pune njëvjeçare mundën të kryejnë me profesionalizëm regjstrimin, katalogimin dhe kartelizimin e 476 objekteve ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë. Në ekspozitën ikonografike dhe ornamentike janë ekspozuar 62 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare , nga të cilat janë 27 ikona, 14 pjesë ikonostasi, si edhe 4 kryqe ikonostasi , të cilat janë shkulur barbarisht nga kishat e jugut të Shqipërisë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 29 shtator deri më 08 tetor 2016, në sallën e ekspozitave të Muzeut Historik Kombëtar./k.s/ /a.ke/

 

 

Pin It