Lëngu magjik (mjalti) në Kur’an e në traditën Profetike

Çdo gjë që ka krijuar Allahu i Madhëruar është e përsosur dhe nuk ka asgjë që nuk është e bukur në krijimin e Tij. Edhe bleta edhe pse një insekt i vogël dhe shumë delikat, mban në barkun e saj ilaçin mrekulibërës, mjaltin, për të cilin Allahu i Madhëruar shprehet kështu në Kur’anin Famëlartë:

“Zoti yt i dha instinkt bletës: “Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” [Surja,  Nahl, 68-69]

Në një tjetër ajet Allahu i Madhëruar tregon mirësitë që do kenë besimtarët e devotshëm në Xhenet: “Shembulli i xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm), në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga mjalti i kulluar…” [Surja,  Muhamed, 15]

Në lidhje me mjaltin, Profeti Muhammed(s. a.s) në një hadith ka thënë: “Kurohuni me dy ilaçe: mjaltin dhe Kuranin (i pari për trup, i dyti për shpirt dhe trup).”

Ndërsa Ebu Hurejre (r.a) tregon: “Kisha shkuar tek i Dërguari i Zotit, kur erdhi një njeri dhe i tha se vëllai i tij vuante nga dhimbjet e barkut. Muhammedi a.s. e këshilloi që për këtë i vëllai të përdorte mjaltin. Ky njeri shkoi dhe pas pak kohe erdhi përsëri dhe i thotë: “Ia dhashë mjaltin, por nuk pati dobi.” I Dërguari i Zotit i tha përsëri që të shkojë e t’i japë mjaltë. Ky shkon e kthehet përsëri duke i thënë se e kreu urdhërin, por gjendja e vëllait nuk po përmirësohej. Për herë të tretë i Dërguari i Zotit i thotë: “Shko e jepi mjaltë!” Kur kthehet për herë të tretë, duke i thënë se i kishte dhënë mjaltë, por gjendja e të sëmurit është po ajo, atëherë i Dërguari i Zotit i tha: “Allahu e ka thënë të vërtetën, por barku i vëllait tënd është duke gënjyer.” Më vonë ky përsëri vjen dhe e njofton se i vëllai është më mirë. (Sahih Muslim)

Dobitë e tij për shëndetin janë të panumërta, disa prëj tyre janë:

-Parandalon kancerin dhe sëmundjet e zemrës

-Redukton ulçerën dhe çrregullimet e tjera të aparatit tretës

-Antibakterial dhe antifungial

-Forcon sistemin imunitar

-Redukton kollën dhe irritimet (dhimbjet) e fytit

-Rregullon sheqerin në gjak (mjalti nuk ka asgjë të ngjashëm me sheqerin e bardhë dhe ëmbëlsuesit e tjerë artificial)

-Shëron plagët dhe djegiet

-Është probiotik shumë i mirë.

Pin It