Letërsia shqipe në Panairi e Librit, Lajpcig 2018

Letërsia shqipe prezantohet në Panairi e Librit, Lajpcig 2018. Stenda e Shqipërisë atje është ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëkohore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, përshtatjen me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimin, bashkëjetesën dhe integrimin.

Në datat 15 deri në 18 mars letërsia shqipe prezantohet në Panairin e Lajpcigut, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Ajo që ministria e quan prurja më e mirë e letrave shqipe në vitet e fundit, përfaqësohet nga shkrimtarët bashkëkohorë të vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare në tre vitet e fundit, si: Bashkim Shehu, fitues i Çmimit Balkanika 2015, Rudi Erebara, fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, Idlir Azizaj Autori i Vitit” 2017, Agron Tufa “Autori i Vitit i Pananirit të Librit”, Parid Teferici, Virion Graçi, Luljeta Lleshanaku, Romeo Çollaku e të tjerë.

Stenda e Shqipërisë është ideuar si një vend promovimi dhe bashkëbisedimi mbi krijimtarinë shqiptare bashkëkohore të fokusuar në trajtimin e temës së kujtesës, e përshtatjes me ndryshimet rrënjësore historike, emigrimit, bashkëjetesës.

Të ftuar në stendën shqiptare do të jenë autorët Gazmend Kapllani, një shkrimtar shqiptar që jeton prej njëzet vitesh në Greqi e që përmes krijimtarisë së tij zbulon se si totalitarizmi, emigracioni, kufijtë dhe historia ballkanike kanë formuar jetën private dhe narracionin e tij personal.

Thanas Medi, i cili në një pjesë të mirë të krijimtarisë trajton jetën e një pakice kombëtare në Shqipëri, si vllehët, si dhe historinë e një brezi që përjetoi ndryshimet e mëdha të viteve nëntëdhjetë.

Brezi i më të rinjve prezantohet me Manjola Nasin, përkthyese dhe poete që sjell një lirikë urbane dhe imazhiste. Kjo është një mundësi më shumë që autorët shqiptarë të prezantohen aty me lexime, intervista të hapura për publikun, të krijon kontakte me botues që i hapin rrugën përkthimeve në gjuhë të tjera.

Ministria e Kulturës ka menduar që në stendën shqiptare t’i bëhet homazh shkrimtarit Kasëm Trebeshina, duke e prezantuar atë pas vdekjes dhe për herë të parë në deklaratat publike të ministrisë, si simbol i disidencës. Profili i Trebeshinës shoqërohet nga një prezantimin i shkurtër i romanit “Odin Mondvalsen” që është përkthyer tashmë në gjuhën gjermane.

Panairi i Lajpcigut që është ngjarja e dytë e madhe në botën gjermanofone pas Panairit të Frankfurtit, i cili ka si karakteristikë leximin. Autori dhe lexuesi janë më afër se në çdo manifestim tjetër me librin./ATA

 

Pin It