Lunaçek: Ballkani Perëndimor në BE, marrëveshja është rruga e vetme për Kosovë-Serbi

ulrike-lunacek1-e1426507297790

Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë zbatimin e marrëveshjeve dhe vendosjen e marrëdhënieve paqësore dypalëshe nëse duan të vijojnë në rrugën e integrimit europian. Pauza disa mujore në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që vazhdon që nga janari, ka nxitur diskutime në lidhje me raportin mes dy vendeve.

Deputetja e Parlamentit Evropian e ngarkuar me detyrë për Kosovën, Ulrike Lunacek, duke rikujtuar se mirëkuptimi është rruga e vetme, tha se projekti europian nuk do të ndalet derisa të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së.

“Serbia është e vetëdijshme se, pas rastit të Qipros, BE-ja nuk do në anëtarësinë e saj të pranojë asnjë shtet, kufijtë e të cilit nuk janë qartë të përkufizuar, prandaj jam optimiste se procesi i dialogut do të ndihmojë Serbinë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, dhe kjo do të thotë që ta pranojë”, tha Lunacek për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë raporton se situata e deritanishme ka shtyrë Bashkimin Europian të mendojë nevojën për ristrukturim të dialogut mes dy vendeve dhe ndryshim të formës së takimeve mes kryeministrave të dy vendeve.

Nga ana tjetër shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviç, është shprehur se duhet arritur një marrëveshje e cila do të rregullojë një herë e mire mënyrën se si dy shtetet e shohin njëri-tjetrin.

“Kjo marrëveshje do të ishte baza e marrëdhënieve me Prishtinën dhe jo një numër i marrëveshjeve teknike, që secila palë i interpreton sipas qejfit. Realisht, mendoj se pa një marrëveshje të tillë nuk ka mundësi të përfundojë ky proces”, tha Stefanoviç.

Pala kosovare është gjithashtu për një përparim më të shpejtë në këtë çështje në koordinim edhe me sugjerimet e Brukselit.

Kryeministri serb dhe ai i Kosovës nuk janë takuar që nga muaji janar. Shkak mendohet të jetë bërë edhe situate zgjedhore në Serbi, e cila ka shpërqëndruar vëmendjen nga marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

Pin It