Mali i Valamarës, mundësi për turizmin rajonal

Mali i Valamarës dhe monumentet e natyrës që ndodhen në zonën e Gramshit, ofrojnë një potencial të lartë rekreacioni dhe zhvillim të qëndrueshëm të ekoturizmit në këtë zonë. Për vlerat dhe rendësinë që ka kjo sipërfaqe pyjore e kullosore, me vendim të Këshillit të Ministrave nr.88,datë 01.03.1993, “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin’, rrethi i Gramshit përcaktohet me zonën e Lenies, Zonë Rezervë Natyrore me një bukuri të rrallë natyrore dhe ka hapësira të mundshme për zhvillimin e turizmit natyror, atë të peisazhit dhe aventurës. Për t’u futur në këto mjedise vërtet të pa shkelura, mund të ndjekësh rrugën Gramsh-Grabovë, rreth 40 km.

Pikërisht këtu ndodhet dhe Zona e Mbrojtur, monument natyre “Moçalet e Grabovës”, të njohura edhe me emërtimet popullore, Moçalet, Gropa e Kryqit, Prishtakoll dhe që ndodhet në shpatin perendimor të malit Valamarës, në lartësinë 1550 m mbi nivelin e detit, mbi fshatin Grabovë e Sipërme.

Moçalet e Grabovës me sipërfaqe 50 ha, kanë formën e një shumekëndëshi të çrregullt dhe përfaqësojne një mjedis natyror malor me pamje e bukuri natyrore mbresëlënse, me vlera ekologjike, me kullota e livadhe dhe me një florë të pasur barishtore, me drurë e grupe drurësh të llojeve të ndryshme, ku rrjedhin shume burime malore me ujë të ftohtë e të pastër.

Eshtë kjo një zonë me vlera shkencore, didaktike, estetike peisazhike, ekonomike e turistike. Kjo është një zonë që duhet të vlerësohet si mundësi e turizmit rural edhe për mundësinë që krijon për të futur në efiçencë ekonomike zonat blegtorale dhe bujqësore në këtë shtrirje gjeografike. Evidentimi dhe mbështetja nga ministria e Turizmit dhe pushteti vendor i këtyre burimeve të mundshme turistike dhe ekonomike do të sjellë edhe rritjen e punësimit në këto zona të thella të vendit. /ATA/

Pin It