Malkolm X, njeriu që na duhet

malkom

Autobiografia e “Malkolm X”, Aleks Halej

Nga Emirjan Çekrezi

“Malkolm X” vjen në kulturën shqiptare nëpërmjet një zhanri tepër delikat, atij të (auto)biografisë. Edhe më delikat bëhet ky zhanër kur jeta e Malkolm X (Malcolm X) nuk është treguar prej vet tij, por nëpërmjet një shokut dhe mikut të tij, Aleks Halejt (Alex Haley). Aleks Halej e di mirë këtë gjë, sepse përballja me kujtimet përbën një sprovë, sidomos kur kujtimet janë të dikujt tjetër që ti i ke mësuar dhë dëgjuar nëpërmjet rrëfimit të tij. Sfida e këtij shkrimi është sa dëshmuese (historike), aq edhe estetike e etike.

Malkolm X: rrëfimi i kujtimeve kalon jo nga akti qytetar i demaskimit, por nga akti i një të revoltuari për drejtësi dhe barazi. Shkohet nga intimja te bota, nga qenia unike te qenia shoqërore. Aleks Halej ka zgjedhur kështu një vektor që ngacmon, çudit, nxit dhe ngazëllen, bezdis dhe inatos. Nuk është shkrimi, por dëshmimi, akti që ngazëllen dhë ndërlikon njëherësh qasjen tonë ndaj kësaj figure (Malkolm X). Është dëshmimi i shumëfishtë dhe i nyjëtuar (i ndërlikuar) i një thelbi të vetëm: racizmi (zgjidhjet).

Racizmi ndaj njeriut me ngjyrë

Ky libër kujtimesh i dedikohet problemit të racizmit në Amerikën e viteve ’60. Por jo vetëm. Më në thelb aty është i përqendruar i gjithë ky problem që nga zanafilla (fillesat), që nga ajo kohë kur njerëzit me ngjyrë të Afrikës u dërguan në Amerikë me kular në qafë e me pranga në duar. Asnjë aktivist, asnjë shkrimtar, nuk e ka shfaqur më parë dhe nuk e ka “dëshmuar” dot në këtë trajtë problemin e racizmit. Malkolm X është një klithmë që del nga thellësia më e largët e vuajtjes së shpirtit të njeriut me ngjyrë të Amerikës. Është një nga ato klithma që bota e ka pasur të vështirë ta pohojë.

Malkolm X ka zgjedhur të dëshmojë jetën e tij në funksion të zgjidhjes së problemit të racizmit kudo që ai ekziston. Vetë Malkolm X thotë: Unë nuk jam racist. Nuk po i dënoj të bardhët për faktin se janë të bardhë, por për aktet e tyre. Unë dënoj atë që të bardhët i kanë bërë popullit tonë kolektivisht. Nëpërmjet këtij teksti, ky dëshmim bëhet pasqyrë e realitetit të marrëdhënieve  ndërmjet njeriut me ngjyrë dhe atij të bardhë në ShBA-të e viteve ’60 dhe, më andej, duke kaluar nga personalja te dëshmimi i intimes, bëhet pjesë e dëshmimit të historisë më të gjerë. Duhet të jeshë i verbër që mos të lexosh dot në këtë biografi “holokaustin” që pëson njeriu me ngjyrë në të gjithë qenien e tij, nga paralindja deri në pasvdekje, (Malkolmi në parapaslindje dhe në pasvdekje), por edhe forcën e kurajën e tij për mos t’u zmbrapsur, për mos t’u atrofizuar dhe asgjësuar. Përpjekje këto që gjenden radhë njëra pas tjetrës në përsonin e Malkolm X.

Dhe kjo është një qëndresë e një lloji tjetër. Jo qëndresë e llojit protokollar, por qëndresë e llojit të së përditshmes, që rreket të përjetësoj nga pak e çdo ditë një thërrime jetë, njerëzie, dëshirë për jetën dhe drejtësinë e barazinë.

Aleks Halej nuk ka analizuar, nuk ka trilluar, por ka përshkruar gjendje konkrete, të vazhdueshme, që hynin e dilnin në jetën e Malkolm X, e prej këtej në jetët e çdo njeriu me ngjyrë në Amerikë. Kjo i jep mjeshtërisht kujtimeve vlerën e dëshmimit, por edhe të interpretimit. Ja pra, Malkom X, figura e njeriut që mungon dhe që na duhet aq shumë sot.

Pin It