Masat kundër koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë iu ka bërë thirrje të gjitha shteteve që të përgatiten për rastet e mundshme të koronavirusit që mund të arrijnë. Kjo thirrje është bërë pasi në Kinë janë konfirmuar afër 12 mijë pacientë me këtë sëmundje dhe rreth 260 viktima.

“Shtetet duhet të përgatiten përimportimin e mundshëm, në mënyrë që të identifikojnë rastet sa më herët që është e mundur që të jenë të gatshme të kontrollojnë shpërthimet e virusit, nëse kjo ndodh”, tha përfaqësuesi i OBSH-së, Gauden Galea.

Koronavirusi deri më tani përveç Kinës, ka arritur edhe në 25 vende tjera të botës duke prekur mbi 100 persona. Në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me këtë sëmundje. Gazeta Shneta ka raportuar ditë më parë se nga dhjetori deri më sot vetëm një udhëtar nga Kina ka hyrë në Kosovë, dhe i cili fatmirësisht ka rezultuar negativ në analizat e kryera për koronavirusin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar për Gazetën Shneta se tanimë është themeluar edhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

“Me vendim të Ministrit të Shëndetësisë është themeluar Komiteti për monitorimin e sëmuindjeve ngjitëse në përbarje prej 27 anëtarëve që ka për qëllim monitoroj situatën epidemiologjike dhe në rast të epidemive të organizoj vlerësimin, menaxhimin dhe komunikimin e riskut dhe marrjen e masave parandaluese dhe të kontrollit me kohë. Gjithashtu, ky Këshill do të bëj evaluimin e aktiviteteve të ndërmarra në rast të epidemive dhe ngjarjeve të papritura dhe të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

MSH e cila ende udhëhiqet nga ministri në detyrë Uran Ismaili, është në dijeni për mungesën e medikamentit antivirusal Tamiflu në Klinikën Infektive në QKUK. Kjo ministri thotë se ky bari përdoret për parandalimin e gripit të infulencës A dhe B, ndërsa për koronavirusin ende nuk ka një terapi specifike. “Asnjë ilaç nuk është aprovuar për ndonjë sëmundje koronavirus, përfshirë edhe koronavirusin”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

“Në Klinikën Infektive i kanë të gjitha llojet e terapive, sipas informacioneve, QKUK është një proces të sigurimit me procedurë të shpejtuar të Tamiflu, por është në kompetencën profesionale të infektologëve për të vendosur a është ai bari i zgjedhur për ta trajtuar ndonjë rast eventual të Coronavirusit apo jo. Në këtë aspekt, rekomandimet që do të jepen nga përvoja tashmë e disa shteteve, do të mund të ndihmojë në këtë aspekt”, thuhet tutje në përgjigje.

Për popullatën mbeten në fuqi masat e parandalimit të pneumonisë me Coronavirus!

– Shmangni kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!

– Lani shpesh duart me ujë e sapun 20-30 sekomda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

– Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

– Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.

– Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.

– Evitoni vendet e mbyllura dhe të mbi populuara me njerëz!

– Personat të cilët kanë qenë në provincën Ëuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë temperaturë, ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!

 

Pin It