Mbrojtja e konsumatorit, nënshkruhet kodi i sjelljes mes operatorëve të komunikimit

phone-call1-e1435588354774

Operatorët e telefonisë celulare, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit në MZHETTS dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nënshkruan kodin e sjelljes që synon mbrojtjen e konsumatorëve.

Kodi parashikon vendosjen e një konkurrence të ndershme mes operatorëve celularë për produktet që ata ofrojnë në treg, si dhe mbrotjen e konsumatorëve prej tyre. Ai është hartuar nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit në MZHETTS, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat apo përmirësimet e kërkuara nga vetë konsumatorët.

“Ky është një hap i rëndësishëm, i cili jo vetëm që vendos në një formë të rëndësishme mënyrën se si komunikojnë operatorët me njëri-tjetrin, por merr përsipër gjithashtu që operatorët të mbrojnë konsumatorët në treg duke ua bërë transparente të gjitha produktet që ato nxjerrin, mënyrën se si grumbullojnë të dhënat personale dhe se si i ruajnë ato, gjithashtu dhe mënyrën se si kostohen produktet dhe shërbimet që ato ofrojnë,” u shpreh ministrja Milva Ekonomi.

Kreu i AKEP, Pirro Xhixho, gjithashtu u shpreh se ky moment është rëndësishëm pasi ka të bëjë me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

“Ne e vlerësuam që në fillim maksimalisht këtë nismë të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në zbatim të ligjit tuaj, por edhe të ligjit të telekomunikacioneve, i cili ka kushte të drejtpërdrejta për të mbrojtur konsumatorin dhe veprimtarinë e operatorëve ta drejtojë drejt mbrojtjes së konsumatorëve, dhënies së transparencës së nevojshme.

E gjitha kjo me qëllim që konsumatori të njohë të gjitha produktet në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur, duke lehtësuar zgjedhjen e tij, sepse ne jemi në një treg konkurrues dhe tregu konkurrues kërkon transparencë të plotë, kërkon që konsumatori të jetë i mbrojtur nga proceset abuzive të cilat mund të ndodhin, për efekt të dikujt ose të veprimeve të ndërgjegjshme dhe të pandërgjegjshme në treg” tha ai.

Pin It