Mbyllet filiali i UT në Kukës, studentë e pedagogë: Humbje ekonomike dhe akademike

studente-shkolla-dita-pare-e1443190130339

Filiali i Universitetit të Tiranës në Kukës është mbyllur pas nëntë vitesh funksionimi. Studentët dhe pedagogët e këtij universiteti thonë se mbyllja e filialit është një humbje e madhe ekonomike dhe akademike jo vetëm për Kukësin, por edhe për rajonin verilindor.

“Ka shumë studentë që nuk kanë mundësi që ta vazhdojnë shkollën në Tiranë. Gjendja ekonomike e tyre është e ulët. Ne kemi bërë kërkesa brenda fakultetit dhe jashtë por kërkesat tona nuk u morën parasysh. Ky filial ka qenë një mundësi shumë e mirë për të gjithë kuksianët” tha një studente.

Ministria e Arsimit paralajmëroi mbylljen e filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës në fillim të vitit akademik 2014-2015, duke mos dhënë kuota për vitin akademik 2014-2015 dhe për vitin akademik 2015-2016.

Por për pedagogët dhe vendorët e Kukësit, kishte shpresa për rihapjen e tij për shkak të kërkesave të shumta drejtuar Qeverisë, cilësinë dhe kuotës së lartë të pikëve për pranimin e studentëve.

“Unë e quajt fatkeqësi mbylljen e filialit të Universitetit të Tiranës në Kukës. Sot duhet të ishte një ditë e gëzuar e me gjallëri por është një ditë e zymtë për filialin e Universitetit të Tiranës në Kukës” tha Bekim Lekica, pjesë e administratës së këtij filiali.

Numri i studentëve që vazhdonin studimet pranë këtij filiali arrinte në 1100 në degët Ekonomi, Infermieri dhe Gjuhë e Huaj para se të dilte urdhri nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për mbylljen e tij.

Pin It