Me urtësinë e “Bismil-lâhi rr-Rrahmâni rr-Rrahîm”…

“Bismil-lâhi rr-Rrahmâni rr-Rrahîm”

Kjo formulë quhet El-Besmele në terminologjinë islame dhe ndodhet në fillim të çdo sureje të Kuranit, përveç sures së nëntë. Ajo është një thirrje që i drejtohet Allahut të Madhëruar, në mënyrë që Ai ta pranojë dhe ta bekojë veprimin që nis me këtë formulë. Besmele-ja përbëhet nga dy pjesë:

-Përmendja e emrit të Allahut (bismil-lâh) dhe përmendja e dy prej cilësive të Tij, me të cilat Ai ka dashur që robërit e Vet ta identifikojnë: “Er-Rahmân dhe Er-Rahîm” (i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti). Kur shqipton pjesën e parë të formulës, myslimani thotë: “Me emrin e Allahut e nis leximin”. Më pas vazhdon me dy cilësitë: “Er-Rahmân dhe Er-Rahîm”, të cilët rrjedhin nga e njëjta rrënjë “rahima” që do të thotë “të mëshirosh”.

Në lidhje me dallimin midis këtyre dy emrave të Allahut janë bërë trajtesa të shumta e të gjata, sepse, siç ndodh gjithmonë, para Madhështisë së Allahut dituria dhe njohuria njerëzore kanë gjithnjë diçka për të thënë. Sipas disa komenteve, emri “Er-Rahmân” do të thotë “I Mëshirshëm dhe Përdëllyes për të gjitha krijesat”, prandaj është përkthyer “I Gjithëmëshirshmi”, kurse emri “Er-Rahîm”, edhe pse tregon një mëshirë të pakufishme, sipas komentuesve të Kuranit, kjo mëshirë është e veçantë vetëm për besimtarët. Ky emër është përkthyer “Mëshirëploti”.

Pin It