Shërbim 24 orë në urgjencat pediatrike, evitohen radhët e pritjes

Që prej datës 15 Janar Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka shtuar masat për të luftuar epideminë gripale gjatë muajve të dimrit.

Janë 4 qendra shëndetësore në Tiranë që aktualisht funksionojnë 24 orë në 7 ditë të javës për urgjencat pediatrike . Qendra Shëndetësore Nr. 10 pranë Oxhakut në kryeqytet ofron shërbim pa ndërprerje për fëmijët në këtë periudhë të fluksit të shtuar për shkak të viruseve stinore.

Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr. 10 në Tiranë Rudina Gjini shprehet se prej datës 15 Janar qendra ka filluar shërbimin e urgjencës 24 orë në 7 ditë të javës për moshën pediatrike nga 0 deri në 14 vjeç e cila u bën thirrje prindërve  në rast të urgjencës për fëmijët e vegjël të paraqiten pranë këtyre qendrave shëndetësore pasi do të marrin shërbimin në kohë rekord në të gjitha drejtimet. Një prind shprehet se “ambulanca jonë Nr. 10 punon turni i tretë dhe nuk shkojmë nëpër spitale që të presim radhë aq shumë të gjata”. “Kërkoni Qendrën Shëndetësore 24/7 afër lagjes ku banon, spitali nuk është gjithmonë zgjidhja”, shkruan Manastirliu.

Prindërit mund t’u drejtohen tashmë këtyre qendrave për shërbimet e konsultave dhe vizitave pediatrike. Shërbimi mjekësor 24 orë do të ofrohet në qendrën shëndetësore nr. 6 – rruga Haki Stërmilli, Kombinat, Qendrën Shëndetësore nr. 7 – rruga Pandi Dardha, Laprakë, Qendrën Shëndetësore nr. 8 – Rruga Sulejman Delvina, Lagjia. 8, si dhe te Qendra Shëndetësore Nr. 10 – rruga Belul Hatibi, te Oxhaku. /ATA/

Pin It