Reforma e ujit, shtyhet afati edhe një muaj për familjarët

Qeveria ka zgjatur edhe me një muaj afatin për konsumatorët familjarë për të legalizuar lidhjet e paligjshme të ujit, ndërsa ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të nisin më datën 1 Shkurt verifikimin derë më derë në çdo subjekt biznesi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknur deklaroi sot se, “kemi vendosur që të zgjasin edhe një muaj afatin për konsumatorët familjarë për vetëdisiplinim për më shumë kohë për aktmarrëveshjet dhe formalizim. Vendimi është marrë vetëm për familjarët dhe jo për bizneset. Kjo pasi familjarët janë më të shumtë në numër në krahasim me bizneset që kanë administratë dhe mund t’i mbyllin më shpejt procedurat”.

Kjo zgjatje e afatit deri më 28 Shkurt vlen në këtë rast vetëm për konsumatorët familjarë, tha Gjiknuri ndërsa theksoi se, ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të nisin më 1 Shkurt një verifikim derë më derë në çdo subjekt biznesi. Është përgjegjësia e ujësjellësave që të bëjnë verifikimin në terren duke ndëshkuar çdo subjekt që në kundërshtim me ligjin abuzon me ujin e pijshëm.

Ministri shprehu një falenderim të veçantë për qytetarët shqiptarë të cilët i janë përgjigjur çdo ditë e më shumë apelit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.

“Natyrisht, kjo sjellje nuk është diçka e papritur. Pak më shumë se tre vite më parë, shqiptarët dhanë një tjetër dëshmi të vullnetit të tyre për ndërtimin e shtetit ligjor dhe respektimin e ligjshmërisë duke mbështetur transformimin e sektorit të energjisë elektrike. Gjatë dy muajve e gjysmë të fushatës së ndërgjegjësimit rezulton se një numër i konsiderueshëm abonentësh që figuronin në kufijtë e informalitetit janë paraqitur pranë ndërmarrjeve të ujësjellësave për tu legalizuar si konsumatorë”, tha Gjiknuri.

Sipas tij , janë mbi 9 mijë kontrata të reja të lidhura dhe rreth 4 mijë të tjera në proces. 26 mijë matësa uji të rinj të instaluar dhe mijëra kërkesa tjera në proces trajtimi. Gjithashtu, rezulton të jenë nënshkruar gjatë kësaj periudhe mbi 7500 aktmarrëveshje për shlyerjen me këste të borxheve të mbartura.

Afrimi i datës 1 Shkurt kur dhe skadon afati për vetdisiplinimin pa penalizime ka bërë që sportelet e ndërmarrjeve të ujësjellësave të përballen me një fluks në rritje të qytetarëve.

Në këtë situatë, qeveria gjen rastin tu kërkojë Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave që të zgjasin edhe me një muaj afatin e vetdisiplinimit të konsumatorëve familjarë duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë.

Ky proces, tha Gjiknuri, do të monitorohet ngushtësisht nga qeveria qendrore edhe përmes strukturave të Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Gjknuri i bëri thirrje Bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellësave që të miratojnë dhe bëjnë publike skemat lehtësuese për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara. Gjithashtu, të zgjasin oraret dhe shtojnë sportelet e shërbimit për tu ardhur në ndihmë qytetarëve duke shmangur rradhët dhe shkurtuar kohën e shpenzuar.

Ai informoi opinionin publik se në ditët e ardhshme do të nënshkruhen edhe kontratat e performancës mes Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Bashkive që administrojnë ndërmarrjet e ujësjellësave.

“Këto kontrata do të jenë testi lakmues për mbështetjen që këto bashki do të marrin nga qeverisja qendrore me fonde e investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve.Siç e kemi nënvizuar, do të mbështeten me fonde investimi në ujësjellësa ato bashki që do të tregojnë se janë në gjendje të performojnë pozitivisht”- tha Gjinuri.

Shfrytëzoni afatin deri në 28 Shkurt për tu vetëdeklaruar dhe legalizuar si konsumatorë të rregullt të ujit të pijshëm, pa penalitete, u shpreh ministri.  /ATA/

Pin It