Procedura si përfitohet pensioni para se të plotësoni moshën

Çdo person mund të përfitojë pensionin pa plotësuar moshën. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se nëse kanë vitet e punës, atëherë gratë mund të kërkojnë pension edhe pa mbushur moshën 60 vjeç e 6 muaj (është sot mosha e daljes në pension për grate). Po kështu edhe burrat mund të përfitojnë pension pa mbushur 65 vjeç. Ligji për sigurimet shoqërore parashikon pensionin e reduktuar, por me kushtin që për aq muaj sa e kërkoni pa mbushur moshën, atëherë do të ulet përfitimi, duke e shumzuar me koeficentin 0.6.

Si përfitohet pensioni i reduktuar

Personat që kanë periudha sigurimi kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension; Nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Masa e pensionit të reduktuar të pleqërisë është pjesë e pensionit të pleqërisë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i pleqërisë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit para mbushjes së moshës, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit është 0.6 % në muaj.

Shembulli: Nëqoftëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 24.000 lekë, do t’i zbritet 12 % (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 0.6 %, që është koeficienti i miratuar).

Dokumentat

Për të përfituar pension të reduktuar përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Përfituesi së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat e mëposhtme:

  1. a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin: – Fotokopje e kartës së identitetit; –

Çertifikatë e gjëndjes familjare; – Çertifikatë martese (vetëm për kërkueset femra); – Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në çertifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe çertifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijet që nuk figurojnë në çertifikatën e gjëndjes familjare; – Vërtetim nga Komuna/Bashkia për ndryshimin e gjeneralitetit; – Vërtetim nga qendra e fundit e punës për gjeneralitetin. – Dy fotografi.

  1. b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë: – Libreza e punës; – Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; – Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore; – Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse periudha e punës nuk provohet me dokumente zyrtare); – Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj); – Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët; – Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
  2. c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe: – Vërtetim i gjendjes gjyqësore; – Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik; – Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë; – Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë.
  3. d) Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara: – Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994); Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

/Shqiptarja.com/

 

Pin It