Kodi Civil, ndryshimet shmangin zvarritjen e proceseve gjyqësore

kld-c1200x600

Kodi i Ri i Procedurës Civile parashikon afate dhe procedura për zhvillimin e seancave gjyqësore me qëllim shmangien e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Ndryshimet pritet të miratohen në seancën e ardhshme parlamentare dhe janë pjesë e reformës në drejtësi.

Kodi parashikon masa ndëshkimore deri në gjobë për palët që qëllimisht shtyjnë një seancë gjyqësore. Rregullat e reja synojnë të shkurtojnë kohën për zhvillim e proceseve gjyqësore civile

Kodi i ri, i përgatitur nga ekspertët, bazohet në praktikën gjermane dhe austriake. Ai zgjeron kompetencat e nëpunësit të gjyqësorit si dhe rregullon procedurën e njoftimit të palëve në lidhje me seancat gjyqësore.

Zgjerimi i kompetencave
Në këtë projektligj, nëpunësit gjyqësor i janë zgjeruar kompetencat lidhur me veprimet dhe masat që duhet të marrë në lidhje me njoftimin e palëve, me qëllim që të mos ketë pengesa për zhvillimin e procesit gjyqësor, brenda afateve të përcaktuara.

Nëpunësi gjyqësor mund t’i drejtohet institucioneve të ndryshme, të cilat me ndryshimet e bëra, janë të detyruara të kthejnë përgjigje brenda afatit të përcaktuar.

Ky projektligj sjell si risi dhe raportin që nëpunësi gjyqësor harton dhe ja paraqet gjykatës lidhur me veprimet e tij, për njoftimin e palëve, për të bërë më të përgjegjshëm punonjësit, por edhe gjyqtarët për mirëadministrimin e procesit gjyqësor.

Bien alibitë
Projektligji parashikon që, në qoftë se personi i thirrur refuzon marrjen e njoftimit, nëpunësi gjyqësor ose punonjësi i shërbimit postar bën shënimin përkatës në aktin objekt njoftimi dhe, kur është e mundur, e vërteton edhe me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm. Në këtë rast, njoftimi duhet konsideruar i përfunduar.

Gjithashtu është përfshirë në këtë projektligj, për herë të parë koncepti i personit të autorizuar për marrjen e njoftimit në rastet kur palët nuk kanë mundësi të marrin njoftimin. Projektligji sjell risi sa i takon njoftimeve me mjete elektronike në rastet kur personat i kanë deklaruar më përpara ato në regjistrat publike.

Projektligji rregullon dhe parashikon procedurën e përmirësuar për rastet e njoftimit publik, duke prezantuar jo vetëm procedura më të detajuara, por njëkohësisht duke prezantuar për herë të parë një portal elektronik kombëtar për këtë qëllim, në të cilën njoftimi mund të qëndrojë për jo më pak se 20 ditë.

Masat ndëshkimore
Projektligji ndryshon nenin 107 të KPRC, duke parashikuar masa ndëshkimore për palët në proces, nëse shkaktojnë qëllimisht shtyrjen e një seance të vetme gjyqësore.

Konkretisht, nëse pala ndërgjyqëse ose përfaqësuesi i saj ka shkaktuar me faj shtyrjen e seancës gjyqësore, ose ka krijuar nevojën për një seancë tjetër gjyqësore, ose ka krijuar vonesa të panevojshme duke sjellë prova shtesë, kërkesa ose parashtrime me vonesë, gjykata kryesisht mund të caktoje një tarifë gjyqësore shtesë.

Nëse këto veprime kryhen nga përfaqësuesi pa pëlqimin paraprak të palës, përfaqësuesi detyrohet të zhdëmtoje palën me tarifën gjyqësore shtesë të vendosur. Po ashtu, ka ndryshuar edhe neni 110, ku për caktim të gabuar të vlerës së padisë dhe për llogaritje të gabuar të tarifave dhe të shpenzimeve të tjera gjyqësore, mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi kundër vendimit nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës.

Kushtet për rekurs
Nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji;

Ka shkelje të rënda të rregullave procedurale (Neni 467/a deri e të këtij Kodi);

Shkelje të tjera procedurale të cilat kanë penguar një hetim të plotë të çështjes;

Vendimi i Gjykatës së Apelit bazohet në një fakt thelbësor që është në kundërshtim me vendimet e gjykatës së shkallës së parë.

Hartimi i projektligjit
Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e këtij projektligji ka patur si bazë një projekt të misionit EURALIUS, i përgatitur nga ekspertët e tyre sipas qasjes së praktikës gjermane dhe austriake, nëpërmjet të cilët tentohet të përmirësohen ato çështje të ngritura nga analiza e sistemit dhe strategjia e Reformës në Drejtësie.

Ky projektligj është diskutuar në grupin e punës pas draftimit të tre projektligjeve të paketës emergjente për Reformën në Drejtësi për të përshtatur dhe ndryshimet e nevojshme me ligjet e miratuara të paketës emergjente të ligjeve të reformës në drejtësi.

Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e këtij projektligji është ngritur në kuadër të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, dhe është pjesë e shtyllës për pushtetin gjyqësor.

Në përbërje të këtij grupi pune kanë qenë ekspertë të nivelit të lartë, përfaqësues të Misionit EURALIUS IV, konsulent dhe ekspertë të fushës. Grupi i punës është asistuar nga Sekretariati Teknik, i përbërë nga juristë dhe përfaqësues nga Kuvendi, Misionit EURALIUS, dhe ekspertë të fushës.

Pin It