Dhuna në familje, gratë kanë humbur besimin tek institucionet

familja

Viti 2016 regjistroi një numër të lartë krimesh në familje, ku në shumicën e rasteve gratë mbetën viktima të dhunës bashkëshortore. Gjatë ketij viti 9 gra humbën jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga partnerët e tyre.

Doktoresha e shkencave sociale Edlira Haxhiymeri thotë se gratë kanë humbur besimin tek institucionet e shtetit, pasi denoncimet e tyre nuk merren seriozisht.

“Denoncimi nuk është i thjeshtë. Denoncimi ndonjëherë mund të shkaktojë më shumë dhunë, si në rastin e Fierit, ajo kërkoi urdhër mbrotje dhe u masakrua nga i shoqi. Në momentin që një grua denoncon kjo nënkupton që ndaj saj duhet të merren masa mbrojtëse. Dhe kur kjo mungon kuptohet që është cënuar rëndë besimi që këto gra kanë tek institucionet e shtetit”, u shpreh Haxhiymeri.

Ajo tha se një tjetër problematikë është edhe sfida për rehabilitimin e grave të dhunuara dhe përfshirjen e tyre në shoqëri. Sipas saj ato kanë nevojë për mbështetje për t’u bërë të pavarura ekonomikisht dhe për të fituar besimin te vetja.

“Problemi i punësimit, më lejoni të them që bëhen konferenca të shumta për to por që ato nuk përfitojnë asgjë. Sfida tjetër është strehimi. Për një grua që del nga shtëpia dhe që nuk ka asnjë mbështetje nga familja, të sigurojë strehimin përmes punësimit por që edhe të kujdeset për fëmijët është e pamundur. Viktimat e dhunës në familje përfitojnë shumë pak nga programet e strehimit social”, përfundoi Haxhiymeri.

Pin It