Përfundon gjendja e fatkeqësisë, Manastirliu: Mbeten në fuqi masat. Rihapet transporti publik

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një komunikim të ditës së sotme foli për planin e masave për të përballuar fluksin e shtuar të të prekurve nga koronavirusi.

Manastirliu deklaroi se përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore ditën e sotme, nuk e ul gatishmërinë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2.

Ajo bëri me dije se do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë dhe se bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me Covid-19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka lajmëruar hapjen e spitalit të dytë Covid, një strukturë mbështetëse brenda QSUT (spitali i ish-Kirurgjive) për të përballuar fluksin në rritje të të prekurve me Covid-19 që kanë nevojë për trajtim spitalor.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin aktual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital”, tha Manastirliu.

Duke deklaruar se janë marrë masat për mjetet e mbrojtjes personale, aparaturat mjekësore dhe terapitë e nevojshme medikamentoze për pacientët, Manastirliu shpjegoi hapat që do të ndërmerren nëse numri rritet akoma më tepër, sidomos sa i takon rasteve në terapi intensive.

“Paralelisht me hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT, nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të hapim spitalin Covid 2, pra spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe në skenarin tjetër, nëse shifrat kapërcejnë këto kapacitete, do të hapet spitali COVID4 në aksin Tiranë-Durrës, I cili do të administrohet nga QSUT”, tha Manastirliu.

Spitalet Covid 3 dhe 4 janë parashikuar të jenë spitale karantinë, ku trajtohen kryesisht pacientë që gjendjen akute dhe janë në fazë rikuperimi.

Gjatë komunikimit me publikun, ministrja e Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor do të vijojë të jetë në alert dhe se do të kërkohet me rigorozitet zbatimi i protokolleve të sigurisë.

“Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie dhe bazuar në ligjin për sëmundjet infektive do të vijojnë të jenë në fuqi të gjitha masat që kufizojnë përhapjen e infeksionit. Strukturat e Task-Forcës anti-Covid do të vijojnë të jenë të angazhuara 24/7 në terren në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi gjithashtu heqjen e kufizimit për transportin publik.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për masat parandaluese ndaj Covid-19, për të mos e mbingarkuar sistemin shëndetësor.

“Duke falenderuar stafet mjekësore që vijojnë të jenë në gatishmëri, çdo qytetar është i lutur të mbrojë sistemin shëndetësor, të mos e vërë në sprovën e mbingarkesës, duke zbatuar rregullat e thjeshta parandaluese, distancimi fizik, higjiena personale dhe mbajtja e maskës kudo kur nuk është e mundur të respektohet distance, pasi janë të vetmet armë që kemi në dorë për të parandaluar përhapjen e COVID19”, tha Manastirliu.

Pin It