Rriten sërish infektimet, 52 persona pozitiv me koronavirus në 24 orët e fundit

Nga 33 raste që u shënuan një ditë më para si infektime të reja me koronavirus, në 24 orët e fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e të prekurve.

Nga 328 testime të kryera në orët e fundit, kanë rezultuar pozitiv 52 persona, kontakte të rasteve të mëparshme, por edhe raste të reja.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.

Në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve Tiranë 374; Durrës 152; Shkodër 124; Vlorë 63; Fier 37; Lezhë 20; Korçë 17; Elbasan 10; Kukës 7; Gjirokastër 2 dhe Berat 1.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, duke e çuar në 1195 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Por pavarësisht shërimeve, ka sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po marrin trajtohen 81 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive. Mosha mesatare e të shtruarve është rreth 61 vjeç, ndërsa gjysma e të shtruarve është nga Tirana.

“Nisur nga rastet pozitive ditore kryesisht në ndërmarrjet me shumë punëtorë dhe kontakte në vendet e punës, i bëjmë thirrje edhe një herë bizneseve të respektojnë protokollet e sigurisë, distancimin fizik, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e maskave kudo ku ofrohet shërbimi për qytetarët. Me rihapjen e transportit publik është domosdoshmëri mbajtja e maskës nga të gjithë, ata në shërbim dhe përdoruesit e transportit publik, dezinfektimi i mjeteve të transportit etj. Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve”, deklaroi Rovena Daja, specialiste e Institutit të Shëndetit Publik.

Ajo bëri thirrje për një kujtesë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri: Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën në ambientet publikel; Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse; Mos u grumbulloni me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid-19.

“Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.  Qytetarët e prekur nga Covid19 pa shenja klinike ose me simptoma të lehta, të kontaktojnë online me mjekun e familjes për këshilla përgjatë kohës së karantinimit. Nëse shenjat rëndohen, telefononi 127”, tha Daja.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë bizneseve, qytetarëve, të tregojnë kujdes në zbatimin e masave të vendosura sipas protokolleve të sigurisë pasi virusi ka ende transmetueshmëri të lartë, kemi rritje të rasteve të reja ditore pozitive si dhe të rasteve që kanë nevojë për trajtim spitalor.

COVID-19 – Statistika 23 Qershor 2020

Testime totale 24020

Raste pozitive 2047

Raste të shëruara 1195

Raste Aktive 807

Humbje jete 45 (Qarku Tiranë 25, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1)

Pin It