Rënie e ndjeshme infektimesh me koronavirus, 50 të prekur në 24 orët e fundit

Nga 333 testime të kryera në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 50 persona të prekur me koronavirus, duke shënuar një rënie prej 32 personash në raport me një ditë më parë, kur pati 82 raste.

Rovena Daja, specialiste e Institutit të Shëndetit Publik, deklaroi se rritja e rasteve ditore pozitive në javën e fundit lidhet me uljen e vigjilencës dhe moszbatimin e rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore dhe se kjo ka bërë që krahas të prekurve që janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, të kemi dhe transmetim komunitar në disa bashki të vendit.

Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë është si vijon: 12 raste në Shkodër, 11 në Tiranë, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin, dhe 1 rast në Lushnje.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 13 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1077.

Në spitalin Infektiv sapo është shënuar një humbje jete. Një paciente 82-vjeçare nga Tirana ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar.

Në vendin tonë janë aktualisht 608 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është Tiranë 272; Shkodër 97; Krujë 78; Durrës 36; Vlorë 35; Kamëz 30; Lushnje 13; Pukë 13; Elbasan 8; Korçë 7; Fier 6; Lezhë 3; Kukës     2; Tropojë 2; Mallakastër 2; Kurbin 2; Ura Vajgurore 1 dhe Gjirokastër 1.

Daja tha se shtimi i rasteve pozitive në aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë mund të shoqërohet me rritje të shtrimeve në spitale dhe të atyre që kanë nevojë për terapi intensive, ndaj bëri thirrje për respektimin e rregullave.

Sipas saj, e vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara.

“Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Ju nuk e dini nëse dikush pranë jush është bartës i virusit. Mbroni veten dhe familjet tuaja. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Tregoni nëse keni simptoma e qëndroni në shtëpi kur prisni përgjigjen e tamponit apo kur jeni në karantinë. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid-19”, deklaroi në mbyllje specialistja e ISHP.

COVID-19 – Statistika 17 Qershor 2020

Testime totale 21510

Raste pozitive 1722

Raste të shëruara 1077

Raste Aktive 608

Humbje jete 38 (Qarku Tiranë 22, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 3, Kukës 1)

Pin It