Medreseja e Tiranës nis sot vitin e ri shkollor

Medreseja e Tiranës nisi sot vitin e ri shkollor 2018-2019. Me rastin e fillimit të vitit të ri arsimor u organizua ceremonia e hapjes ku ishin të pranishëm drejtori i Medresese së Tiranës, z. Ali Zaimi, nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, mësues, prindër dhe nxënës.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Medresesë uroi nxënësit për një vit të suksesshëm dhe tha se medreseja ka qenë dhe do të jetë një familje e dytë për të gjithë nxënësit.

“Medreseja e Tiranës është familja e dytë për çdo nxënës. Këtu do të gjeni një staf të përkushtuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’ju mbështetur dhe ndihmuar në realizimin e ëndrrave tuaja. Medreseja e Tiranës ju përgatit për jetën tuaj të ardhshme profesionale, plotëson personalitetin tuaj, duke ju mundësuar përfitime të shumta, si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën”, tha ndër të tjera z. Zaimi.

Nënkryetari i KMSH-së tha se medreseja përbëhet nga një staf i përgatitur, me nxënës të përzgjedhur dhe më përvojë të gjatë në arsim.

“Stafi, nxënësit e përzgjedhur dhe ekspereienca gati shekullore e kësaj shkolle do të bëjnë të mundur që ju të hidhni hapa të sigurtë dhe të ngjisni me sukses shkallët e jetës. Këtu do të përgatiteni si nga ana shkencore ashtu edhe nga ana fetare. Me anë të dijes mund të arrihet suksesi, prosperitite dhe përgatitja e individëve për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.

Medreseja e Tiranës është një nga shkollat më me traditë në Shqipëri e cila daton që në vitin 1924. Sot, kjo shkollë mundëson shkollimin e nxënësve në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë mësimdhënie. Medreseja njihet për suksesin e saj në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Në këtë shkollë nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.

Pin It