7-Marsi në Medresenë e Tiranës, Zaimi: “Shoqëria iu ka besuar mësuesve të ardhmen”

Medreseja e Tiranës feston sot 7-Marsin, festën e mësuesve. Në urimin e tij me këtë rast, drejtori i Medresesë, Ali Zaimi, theksoi rëndësinë e rolit të mësuesit në edukimin e brezave si dhe i falenderoi ata që kryejnë këtë punë fisnike për përkushtimin e vazhdueshëm

“Pavarësisht profesioneve të ndryshme që kemi sot dikur të gjithë kemi qenë nxënës, përballë kemi patur mësuesin ose mësuesen që nuk ka kursyer as kohën, as jetën, as përkushtimin e vet për të na edukuar dhe brymosur ne me njohuri, edukatë dhe kulturë. Të nderuar mësues, shoqëria ju ka besuar juve të ardhmen prandaj së bashku me vlerësimin e madh që meritoni, ju keni mbi supe një detyrë të rëndë, po aq edhe fisnike. Zoti ua lehtësoftë punën tuaj fisnike dhe gëzuar këtë ditë të shënuar,” tha drejtori Zaimi.

Ndërkohë ditën e hënë në Medresenë e Tiranës u organizua një program festiv kushtuar mësuesve dhe nënave. Programi i përgatitur nga Medreseja e Tiranës, Kavajës, Elbasanit, Korçës dhe Beratit, nën kujdesin e “Fondacionit Sema”, ishte i pasur me interpretime të nxënesve në këngë, poezi dhe pjesë teatrale.

Gjatë fjalës së tij, drejtori i “Fondacionit Sema” tha se mësuesi dhe nëna janë dy individualitete që kanë fuqi të pazëvendësueshme, prandaj meritojnë dashurinë, respektin dhe mirënjohjen më të thellë. Ata janë sakrifikuesit më të mëdhenj të shoqërisë.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së, z. Aga tha se Medresetë në Shqipëri janë një model mjaft i mirë arsimimi. Këto shkolla përgatisin nxënës duke ndërthurur dijen me moralin. Z. Aga duke cituar Naim Frashërin tha se mendja e një kombi është arsimi, dhe zemra e tij është morali.

Të pranishëm në program ishin edhe drejtori i Arsimit në KMSH, z. Oltion Kola, zv/ministri i Arsimit dhe Sportit z. Rauf Dimraj, përfaqësuesja e Drejtorisë Arsimorë të Qarkut të Tiranës, znj. Elena Larti, drejtues të “Fondacionit Sema”, mësues të Medresesë së Tiranës, drejtorë dhe stafi pedagogjik i Medresesë së Kavajës, Elbasanit Korçës dhe Beratit.

 

Pin It