Minigrushti i nxituar, Një analizë e Antonio Ferrari në “Corriere della Sera”

3654544E00000578-3692693-image-a-7_1468658285542

Një grusht shteti, që nuk zgjati më shumë se 4 orë. Në një vend ku përgjatë 56 viteve ka pasur disa përpjekje të ushtrisë për të marrë pushtetin me gjak, që kanë rezultuar në mijëra vdekje e vorbulla trazirash politike, e ku përgjithësisht Forcat e Armatosura, të cilat e shohin veten si mbrojtëse të demokracisë turke, një filozofi e mbrujtur me idetë sekulariste të themeluesit të Turqisë moderne Qemal Ataturkut, kanë qenë të suksesshme.

Tensionet politike mbërritën pikën e vlimit në vitin 1960, mes qeverisë së kryeministrit Adnan Menderes dhe Presidentit Celal Bayar, partive opozitare e forcave ushtarake. Ekzekutivi i atëhershëm nisi të rihapte xhamitë e medresetë. Njerëzve iu kërkua të luteshin në gjuhën arabe, e jo në turqisht.

Ishte e tepërt kjo për ithtarët e laicizmit. Humbësi i madh në fund rezultoi të ishte kryeministri. Menderes nuk humbi vetëm postin, por edhe jetën: ai u var nga junta ushtarake si tradhtar.

Pati një tjetër puç shtatorin e vitit 1980, kur ushtria vendosi ligjin e luftës dhe çoi qeverinë drejt shpërbërjes. 16 vite më vonë, pasi pushtetin e mori Partia islamike e Mirëqenies, Forcat e Armatosura do të ndërhynin sërish duke i diktuar ekzekutivit politikat që duhej të ndiqte.

Çfarë ndryshoi këtë herë? Puç është pak fjalë e madhe, – thotë editorialisti i “Corriere della Sera”-s, Antonio Ferrari. – Më e shumta mund ta quajmë një minigrusht të nxituar”.

Harku kohor në të cilin do të konsumohej e gjithë drama, por edhe prapaskenat e çuditshme e rrethanat e pagjasa të saj, e shtyjnë gazetarin të anojë nga ideja e hedhur mes rreshtash edhe prej vet Fetullah Gulenit: një goditje e stisur.

“E kam njohur Turqinë para 30 vitesh, – thotë ai. – e jam rikthyer vazhdimisht. Kam intervistuar të gjithë krerët politikë, përfshirë edhe vetë karizmatikun Erdogan. Kam burime të besueshme e tepër të vyera atje, të cilët më lanë të kuptoj se mund të jetë e gjitha një ‘mise en scene’. Nesër, – më thanë, – Erdogani do të jetë edhe më i fortë”.

“Por janë 260 të vdekur në mes”, pyet ai, ndërsa përgjigjen e jep po vet. “Aq sa ç’ishte bilanci i të vdekurve në Ankara gjatë manifestimit pacifist. Mendoni se i intereson Erdoganit kjo gjë?”.

Pin It